Punësimi i motrës së Besnik Bislimit në Neonatologji, deklarohen nga ShSKUK-ja

17:37 | 26 Prill 2022

Motra e numrit dy të Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, është punësuar si punonjëse e rregullt në Klinikën e Neonatologjisë në ShSKUK, kanë raportuar mediat të martën.

Ajo është specializante e neonatologjisë. Për punësimin kanë folur edhe ShSKUK-ja.

ShSKUK-ja, në një përgjigje me shkrim, nuk e ka mohuar punësimin e Valbona Bislimit në pozitën e specialistes së neonatologjisë.

E sipas Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, për dy pozitat e lira të punës në Klinikën e Neonatologjisë, njërën prej të cilës u raportua se e zuri Valbona Bislimi, është zhvilluar procedurë e bazuar në legjislacionin në fuqi.

“Pas hapjes së Spitalit të ri Kirurgjik-Pediatrik, Klinika e Neonatologjisë, ka bërë kërkesë zyrtare për pranimin e specialistëve të neonatologjisë. Konkursi është publikuar dhe proceduar bazuar në legjislacionin në fuqi dhe janë udhëhequr të gjitha procedurat ligjore!”, thotë ShSKUK në një përgjigje për portalet vendore.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës më 8 shkurt të 2022-ës kishte hapur konkurs për dy mjekë specialist të neonatologjisë, dy mjekë specialistë të gastroenterolog, 1 mjek specialist pulmologë dhe 5 mjekë speacilist internistë.

Në faqen zyrtare të ShKUK-së ende nuk janë publikuar rezultatet e konkursit.

Komento: