Njohësit e çështjeve ekonomike pesimistë që Kurti të bindë dikë në SHBA të investojë në Kosovë

18:25 | 16 Maj 2022

Albin Kurti po vazhdon të jetë n vizitë në SHBA.

Vështirë se Albin Kurti do ta bindë dikë në Amerikë që të vijë dhe të investojë në Kosovë. Njohësit e çështjeve ekonomike janë pesimistë se do të dalë diçka konkrete nga vizitat e kryeministrit nëpër kompani amerikane të njohura në mbarë botën.

Është dita e dhjetë prej që kryeministri Albin Kurti udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara. Shefi i qeverisë vizitoi kompani të njohura globalisht në Kaliforni e Teksas dhe suksesi ose mossuksesi i kësaj vizite po thuhet se do të shihet më vonë. Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri dhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj nuk presin të lëvizë diçka në ekonominë e Kosovës nga ky aktivitet i Kurtit.

Haki Shatri nuk beson se kryeministri mund të jetë shtysa vendimtare për t’i bindur korporatat e mëdha në Amerikë që të investojnë në Kosovë. Ai i quan shëtitje vizitat e Kurtit atje.

“Unë jam skeptik që do të dalë diçka prej kësaj shëtitje. Nuk e dimë as me kë ka kontaktuar… Atje ka plot korporata. Për të ardhur ata këtu, ata i kanë paratë e veta dhe shohin mirë ku duan ta angazhojnë kapitalin e tyre. Ata e kanë linjën e tyre të informimit, ambasadat, njerëzit e tyre, ata menjëherë marrin informata”, tha Shatri për Express.

Komento: