Pagesa e faturës së energjisë elektrike, Memli Krasniqi jep lajmin e mirë për qytetarët

10:34 | 19 Maj 2022

“Qytetarët do të paguajnë faturat me tarifat e vjetra, e ndaluam haraçin e pushtetit”

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mbajtur konferencë për media, një ditë pasi Gjykata e Apelit vërtetoi aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për tarifat e shtrenjta të energjisë.

Krasniqi ka thënë se falë punës dhe angazhimit të ekipit të PDK-së, saga për tarifat e shtrenjtuara të energjisë ka marrë fund dhe se qytetarët tash e tutje do të paguajnë faturat me tarifat e vjetra.

Ai ka falenderuar të gjithë qytetarët për mbështetjen për ta “ndaluar këtë haraq të padrejtë të pushtetit për ta”.

“Sot, jam shumë i lumtur që ky vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm i Qeverisë dhe ZRRE-së, tashmë është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit se ka qenë vendim i kundërligjshëm. Për më shumë të njëjtin vendim e kishin mbështetur në forma të ndryshme edhe presidentja dhe të gjitha levat e pushtetit. Falë punës dhe angazhimit të këtij ekipi, e përmes vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit, saga për tarifat e reja e të padrejta mbi qytetarë ka marrë fund. Nga ky realitet i ri i krijuar, neve na vjen mirë që kemi lehtësuar barrën e kostos së rritur kundërligjshëm të çmimit të energjisë elektrike për rreth 450 mijë familje kosovare. Me këtë rast, para së gjithash dua të shprehë falënderimin për secilin qytetar anekënd Kosovës që i ka besuar kauzës sonë dhe që ka mbështetur angazhimin tonë opozitar për të ndaluar këtë haraç të padrejtë të pushtetit mbi ta.”, tha ai.

Sipas Krasniqit, rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare ka qenë “një zgjidhje e paramenduar dhe e projektuar nga Qeveria Kurti”.

“Në parim, është një precedent shumë i keq fakti se një institucion që do të duhej të ishte i pavarur si ZRRE-ja, është vënë në zbatim ekskluziv të projeksioneve të pushtetit, dhe këtë e ka bërë me një injorim të plotë për interesin qytetar dhe me një ftohtësi të plotë. Por, Partia Demokratike e Kosovës ka qenë kundër këtij vendimi, sepse ka qenë vendim i padrejtë, i dëmshëm për familjet dhe qytetarët e Kosovës, si dhe i panevojshëm, pasi që siç e dimë tashmë, nevojat për import gjatë muajit shkurt, mars dhe prill, kanë qenë jashtëzakonisht të vogla dhe kostoja e imagjinuar e cila ju ka lënë barrë qytetarëve, të cilën është dashtë ta paguajnë përmes tarifave të reja, nuk ka ekzistuar fare, sepse nevojat energjetike pothuajse plotësisht janë mbuluar nga prodhimi vendor.”, ka deklaruar kreu i PDK’së.

Komento: