“Veterani i UÇK-së s’mund të jetojë me 170 euro”, OVL e UÇK-së të hënën në protestë

16:39 | 04 June 2022

Faton Klinaku, sekretar i OVL UÇK-së, ka thënë se veterani i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk mund të jetojë me 170 euro.

Përmes një postimi në Facebook, Klinaku, ka shtuar së është lufta e veteranëve ajo që ua ka mundësuar politikanëve që, siç tha ai, “të ulen në kolltuçe”.

Tutje, ai ka vijuar duke kërkuar nga të tjerët që t’i bashkëngjiten protestës që do të mbahet të hënën me 6 qershor para Kuvendit të Kosovës, duke shkruar “protesto kundër shkeljes së të drejtave të tij”.

“Edhe veterani i luftës së UÇK-së ka familje, dhe nuk mund të jetojë me 170€. Lufta e tij, ua ka mundësuar që të uleni në kolltuqe. Prandaj, të hënën me datë 6 qershor 2022 prej orës 10:00, para Kuvendit të Kosovës, protesto kundër shkeljes së të drejtave të tij”, ka shtuar tutje Klinaku.

Përndryshe, kjo protestë e paralajmëruar nga OVL UÇK, është bërë për arsyen se, të hënën Kuvendi i Kosovës, në njërën nga pikat e rëndit të ditës, do ta vendos në votim Projektligjin për rritjen e pagës minimale, i cili bën shkëputjen mes pensionit të veteranit dhe pagës minimale në Kosovë.

Komento: