Ramush Haradinaj sërish i vetmi kandidat për kryetar të AAK-së.
Kryetari aktual i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është i vetmi kandidat i paraqitur për të parin e kësaj partie edhe për një mandat.
Kështu ka bërë të ditur për Klankosova.tv, zëdhënësi i kësaj partie, Lulëzim Blaka.
“Deri më tani, vetëm një kandidat ka paraqitur me shkrim kandidaturën, Ramush Haradinaj. Nuk kam asnjë informacion për ndonjë kandidat tjetër”, është shprehur Blaka, njofton Klankosova.
Ramush Haradinaj është kryetari i vetëm që e ka pasur partia që nga themelimi në vitin 2000.
Haradinaj ka udhëhequr dy herë me Kosovën si kryeministër i vendit, ku për herë të parë u zgjodh në vitin 2004 ku në postin e të parit të qeverisë ishte veç për 100 ditë, pasi u detyrua të japë dorëheqje pas ftesës nga Tribunali i Hagës për akuzat për krime lufte, proces ky që zgjati tri vjet, nga 2005 deri në 2008, ku më 3 prill të 2008-es, ai u shpall i pafajshëm.
Në po atë vit, AAK-ja mbajti zgjedhjet e brendshme ku Ramush Haradinaj u zgjodh sërish në krye të partisë të cilën e themeloi.
Ish-kryeministri Haradinaj u ftua nga Tribunali i Hagës për herë të dytë në korrik të vitit 2010, ku në zgjedhjet e para në Kosovën e lirë, AAK-ja hynte pa liderin e saj, e që fitoi 12 ulëse.
Ai u shpall sërish i pafajshëm pas 2 vjetëve, ku Gjykata për krime lufte në Hagë, më 29 nëntor të vitit 2012 liroi nga të gjitha akuzat atë bashkë me ish-bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj.
Me gjykata, Haradinaj u përball sërish, ku më 4 janar të vitit 2017 në aeroportin Mulhouse në Basel të Zvicrës u arrestua me një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, njofton Klankosova.
Franca nuk ia dorëzoi Haradinajn Serbisë, pasi hodhi poshtë kërkesën për ekstradim, por që kishte dy kushte, atë që të mos dalë nga Franca dhe të paraqitet tek autoritete franceze dy herë në javë.
Ndërsa, për herë të dytë, Haradinaj në krye të qeverisë erdhi më 9 shtator të vitit 2019, i cili ishte mandatuar nga koalicioni PAN (PDK-AAK-NISMA), ku më 61 vota fitoi besimin për të udhëhequr me vendin.
Mandati i tij as këtë herë nuk ishte i plotë, pasi më 19 korrik të vitit 2019, ai në një konferencë për media, me plot emocione, bëri të ditur se ka pranuar ftesë për intervistim nga Dhomat e Posaçme të Gjykatës së Specializuar në Hagë.
Ai bëri të ditur se në gjyq nuk do të shkojë si kryeministër i vendit, por që nga ai moment janë në dorëheqje si qeveri.
“Sapo e informova Qeverinë, pastaj do t’i informoj edhe institucionet tjera edhe partnerët politik, se kam dhënë dorëheqje të parevokueshme prej funksionit të kryetarit të Qeverisë. Pra, nga ky moment jemi në dorëheqje si Qeveri. Arsyeja është që jam ftuar të intervistohem si i dyshuar nga Dhomat e Gjykatës së Specializuar”, ishte shprehur Haradinaj.
Kujtojmë se Haradinaj është njëri nga komandantët më të zot të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në kohën e luftës ishte komandant në zonën e Dukagjinit.