
Paga minimale, PDK parlajmëron veprime: Qeveria ta tërheq projektligjin, askujt nuk i duhen trazirat.
Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar përdorimin e të gjitha mjeteve demokratike për ta pamundësuar kalimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që e përcaktojnë shumën e pagës minimale, i cili do të shqyrtohet në seancën e sotme të Kuvendit.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, tha në një konferencë për media se “askujt nuk i duhen trazirat”, duke iu referuar protestës së veteranëve, që nuk përfshihen në këtë projektligj, raporton Gazeta Express.
“Besoj që do të dominoj arsyeja te partia në pushtet për shkak se askujt nuk i duhen trazirat në vend. Askush nga ne nuk dëshirojmë të kemi protesta në rrugë për çështje sociale”, tha ai, duke i bërë thirrje mazhorancës që ta tërheq projektligjin për plotësim.
Qeveria propozon 250 euro pagë minimale, por PDK-ja kërkon nivel më të lartë.
“Kërkojmë që niveli i pagës minimale të ngritet. Të ngritet kjo shumë në 300-350 euro minimum”, tha Qalaj.
Ai parajmëroi se nëse mazhoranca nuk e përfill kërkesën e tyre për tërhqejen e projektligjit, do t’i përdorin të gjitha mjetet demokratike në kundërshtim.
“Ne do ta kundërshtojmë. Do të përdorim të gjitha mjetet demokratike në mënyrë që ky ligj si i tillë të mos kalojë. Dhe besoj që do të koordinohemi edhe me partitë tjera opozitare”, tha Qalaj.
“Dëshiroj të besoj dhe i bëj thirrje shumicës parlamentare që ta kthejmë këtë ligj për plotësim”, theksoi ai.
Përveç nivelit të pagës, Qalaj tha se ky projektligj është i papranueshëm “për shumë arsye”.
“Synohen të ndryshohen disa ligje pa ndonjë kriter”, tha ai ndër tjerash.
Qalaj e akuzoi Qeverinë se po i përjashton qëllimisht disa kategori nga ky projektligj, duke përmendur veteranët dhe të paralizuarit.
Ai kujtoi gjithashtu se Kurti kishte premtuar pagë minimale 350 euro.
Pika e parë e rendit të ditës në seancën e sotme të Kuvendit është votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.
Seanca e Kuvendit është paraparë të fillojë në orën 11:00.