Miratimi i tetë nismave ligjore, Haxhiu: Do të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit

12:47 | 23 Korrik 2022

Haxhiu flet për tetë nismat ligjore: Do të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se identifikimi, parandalimi dhe luftimi i korrupsionit u bë më i lehtë gjatë muajit korrik.

Kjo pasi Kuvendi i Kosovës ka miratuar tetë nisma ligjore, për cka ministrja i falënderoi deputetët.

“Muaji korrik ishte muaji i finalizimit dhe përfundimit të shumë nismave ligjore me të cilat edhe do ta filloj këtë konferencë për ta vazhduar më pas me të arriturat konkrete në fushën e profesioneve të lira siç janë noteria, përmbarimi dhe ndërmjetësimi”, tha ajo.

Haxhiu në një konferencë për media tregoi rëndësinë e projektligjeve të miratuara.

“Siç e dini top prioriteti i Ministrisë së Drejtësisë mbetet lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, muaji korrik shënoi miratimin e tetë nismave të rëndësishme ligjore në qeveri dhe kuvend, shumë prej këtyre nismave kishin të bëjnë me luftën kundër korrupsionit me çka falënderoj deputetët e Kosovës që miratuan ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave, projektkodin e procedurës penale dhe projektligjin për parandalimin e korrupsionit. Mirëpo, gjithashtu në lexim të parë u miratua njëri nga projektligjet më të rëndësishme ai për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë të pajustifikuar”.

“Përmes këtyre projektligjeve dhe nismave synohet që të fuqizohen tutje institucionet përgjegjëse të cilat do të ndihmojnë në zbatimin e legjislacionit si një formë adekuate e identifikimit, parandalimit dhe luftimit të korrupsionit. Po ashtu synohet edhe themelimi i mekanizmave profesional e të pavarur të cilët do të jenë kompetent për inicimin dhe verifikimin e pasurisë të personave zyrtarë e cila edhe mund të konfiskohet me vendim të Gjykatës nëse e njëjta nuk mund të justifikohet” tha Haxhiu

Komento: