Komisioni hetimor për energji, ZRrE përplaset me opozitën

17:15 | 30 Shtator 2022

ZRrE sot ka pasur një përplasje me opozitën.

Kryesues i bordit të Zyrës së Rregulltarit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, ka thënë se në periudhën e krizës energjetike në Kosovë, ka pasur tregtarë të energjisë elektrike që kanë operuar pa licencë, porse sipas tij, nuk dihet numri i saktë të tyre.

Para komisionit hetimor për krizën energjetike të premten, Fejzullahu, tha se prej vitit 2020 kur Kosova ka dalë në bllok rregullues me Shqipërinë, gjithë tregtarët që kanë qenë më herët është dashur të rilicencohen nga ZRrE-ja.

Mirëpo, sipas tij, disa prej tyre nuk kanë aplikuar për t’u licencuar, andaj kanë kërkuar nga institucionet tjera të ndërpritet tregtimi me këto kompani.

Lidhur me këtë, anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, pyeti nëse këto kompani kanë blerë energji apo kanë shitur.

“Këto kompani sa kanë qarkulluar, kilovat energji. A kanë shit, a kanë blerë dhe cili është hapi juaj juridik si ZRrE që nëse është krijuar dëm dhe është shkelur ligji, që këto kompani jo me i licencuar, por ndonjë hap tjetër”, pyeti ai.

Duke u përgjigjur, Fejzullahu tha se ZRrE-ja nuk mundet të monitorojë tregun në kohë reale.

“Thash se në momentin që jemi ardhur kemi kërkuar që të ndalojnë, sa është numri nuk e di. Mund të jetë një-dy-tre, por sa e di unë është një. ZRrE-ja ka kërkuar menjëherë që gjithë tregtuesit në Kosovë të ndërprejnë tregtimin me këtë tregtar. Komfort legjislacionit në fuqi ne jemi duke i marrë hapat dhe do t’i trajtojmë sipas legjislacionit në fuqi”, theksoi ai.

I habitur me këtë përgjigje u shpreh kryetari i komisionit, Driton Selmanaj.

“Një vit pas mos me ditë se kush është kjo kompani, sa ka operuar në Kosovë dhe a vazhdon edhe sot operojë”, deklaroi ai.

Në debat u përfshi edhe anëtari i komisionit, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, i cili paraqiti disa shifra që sipas tij janë bërë në periudhën e krizës energjetike.

Derisa pyeti konkretisht, shefin e ZRrE-së se ka qenë totali i megavatëve që është importuar në Kosovë gjatë muajit mars 2022.

“Për muajin mars sa ka qenë totali i megavatëve që është importu në Kosovë”, pyeti ai.

Zejnullahu tha se gjatë atij muaji Kosova ka importuar 13 milionë euro energji, ndërsa ka eksportuar 8.7 milionë.
Madje ai kërkoi që mos të manipulohet me shifra, pasi tha se sektori i energjisë elektrike është kësisoj, sa mund të eksportohet dhe importohet në kohë reale.

“Ne mund të jemi edhe neto-eskportues, të prodhojmë 19 megavatë, por të njëjtën kohë të konsumojmë vetëm 18 megvatë orë. Por ne kemi pasur nevojë edhe për dy megavatë shtesë për shkak të orëve të caktuara që kanë qenë të domosdoshme në mënyrë që të barazohet oferta dhe kërkesa. Prandaj do të ishte mirë që ne konsumatorëve me t’iu dërgojmë informata të sakta. Mirëpo mos të tentohet të manipulohet, degradohet asnjë institucion me informata. Nëse i doni ju këto të dhëna të konfirmuara mund të bëni kërkesë në ZRrE”, tha ai.

Krahas këtyre, deputetët, anëtarë të komisionit kërkuan nga kryesuesi i ZRrE-së të vjen edhe njëherë të raportojë para komisionit me të dhëna konkrete.

Komento: