Vuçiqi kërkon nga serbët të mos e sulmojnë KFOR-in e EULEX-in, por jo edhe Policinë e Kosovës

20:36 | 11 Dhjetor 2022

Aleksandar Vuçiq pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka thënë se kanë diskutuar se çfarë të bëjnë.

“Bëjmë thirrje për paqe, për dialog, për lirimin e një njeriu të pafajshëm (polici Dejan Pantiq), por edhe për të mos sulmuar KFOR-in dhe EULEX-in”, tha Vuçiqi.

Ai deklaroi se i priste mesazhet që vinin nga ambasadat e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

“Ne kemi marrë masat e duhura për të mbrojtur atdheun, para çdo urdhri do të përpiqemi një milion herë të ruajmë paqen”, tha ai. “Për ne këto janë ditë dramatike për të cilat nuk kemi asnjë faj”, tha ai, raporton Klankosova.tv.

Pas seancës, sipas asaj që raporton mediumi serb N1, ai ka theksuar se Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të jetë në veri të Kosovës. “Në asnjë situatë, sepse nuk keni kryetarë të rinj të zgjedhur të atyre komunave (katër në veri)”, tha ai.

Vuçiqi tha se kjo është një përpjekje “për t’i dhënë fund problemit serb, në të cilin merr pjesë Kurti, por edhe pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila bën sikur nuk e sheh atë që po ndodh”.

Ai tha se shembulli i vërtetë është rasti i ish-policit të Kosovës, njëherësh edhe ish-pjesëtar i MUP-it, Dejan Pantiq, i cili, sipas Vuçiqit, jeton në objektin ku ndodhet edhe KKZ-ja, e i cili është arrestuar.

“Disa zyrtarë evropianë thanë se barrikadat janë të tmerrshme – para së gjithash, askush nga Beogradi nuk urdhëroi barrikadat, kështu që mos e sulmoni Serbinë. E dini, ata thonë – kur është e përshtatshme, kur diçka ndodh në veri – fajin e ka Serbia, por nëse e bëjnë shqiptarët në veri, atëherë – çka po i intereson Serbisë, është vend tjetër”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

Në seancë, tha ai, u diskutua se çfarë duhet të bëjë Serbia. “Për ne është e rëndësishme t’u bëjmë thirrje serbëve dhe shqiptarëve që të ruajnë paqen dhe të qetësojnë situatën. U bëj thirrje serbëve në Kosovë që të jenë të qetë dhe të mos bien në provokime. Serbët thonë se sulmin ndaj EULEX-it e kanë shpikur disa nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk kemi asnjë indikacion se ka pasur ndonjë lloj sulmi ndaj EULEX-it, por sulmet ndaj EULEX-it dhe KFOR-it nuk guxojnë të ndodhin, sepse shqiptarët do të insistonin në këtë, sepse nuk kanë çfarë t’i tregojnë botës”, tha presidenti serb.

I pyetur për reagimet e ambasadës së SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe, Vuçiqi tha se e ka kuptuar shumë mirë mesazhin dhe se e ka pritur atë, “ndonëse është zhgënjyes”.

“Unë e interpretoj atë në mënyrë që ata e ledhatojnë fëmijën e tyre. Ata bënë një përbindësh 23 vjet më parë së bashku me disa vende të tjera, u përpoqën ta bënin atë atëherë, e përfunduan duke e bërë në 2008. Ajo që thonë ata se barrikadat janë problemi – askush nuk i vendosi ato sepse dikush është i interesuar që të ngrij. Ata nuk e kufizojnë lëvizjen e asnjë shqiptari – ata nuk lëvizin në atë rrugë. Ato janë ngritur për shkak të protestave, arrestimeve të njerëzve, mospërmbushjes së marrëveshjeve. Kam një pyetje për partnerët amerikanë – cilën marrëveshje respektoni? A është Karta e OKB-së, është Rezoluta 1244, është Marrëveshja e Brukselit apo Marrëveshja e Uashingtonit? Na tregoni një nga aktet që Prishtina respekton… Na tregoni një… Do të shihni që nuk ka një akt të tillë”, tha ai.

Vuçiqi ka deklaruar se sot është dita më e vështirë për të, dhe se ndoshta e ka natën më të vështirë përpara. “Shpresoj dhe kemi garanci nga KFOR-i se nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme ndaj demonstruesve, do të vazhdojmë të bisedojmë”, tha ai.

“Kam pasur kontakte me përfaqësuesit dhe negociatorët e BE-së gjatë gjithë ditës”, shtoi presidenti serb. Aleksandar Vuçiq.

Ai u tha serbëve në Kosovë që të respektojnë KFOR-in dhe EULEX-in. “Mos lejoni që të na provokojnë dhe reagoni nëse shihni të tilla. Ka mundësi që pala tjetër të dërgojë njësi speciale me maska ​​në fytyrë për të kryer një sulm ndaj KFOR-it dhe t’ia atribuojnë serbëve. Kështu u tregoni të gjithëve se është e pamundur – ne nuk po dalim kundër KFOR-it apo EULEX-it, vetëm duam ta shpëtojmë popullin tonë që të mos qëndrojë në vatra. Dhe ne po e kërkojmë atë pak – jepini drejtësi serbëve, respektoni marrëveshjen e Brukselit – është më e lehtë të formohet AKSHS-ja”, tha ai, duke shtuar se atëherë do të kishte më pak probleme, do të ktheheshin serbët në institucione dhe nuk do të kishte probleme të tilla.

“Kam frikë se pak njerëz e duan këtë”, shtoi Vuçiqi.

Ai ka deklaruar se më 17 dhjetor do të ketë bisedime me ndërmjetësuesin amerikan dhe evropian, Escobar dhe Lajçak.

Duke folur për kryeministrin Albin Kurti, Vuçiqi tha se është i sigurt se komuniteti ndërkombëtar nuk është i kënaqur me sjelljen e tij, por se, siç thotë ai, “do të ishte naiv dhe budalla të mendojë se nuk kanë se si ta detyrojnë atë të sillet në mënyrë të denjë dhe në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare publike”.

“Nuk ka dorëzim, ne jemi me ju”, u tha Vuçiqi serbëve në Kosovë.

Komento: