Haliti: Një numër i madh i personave të zhdukur mund të gjenden në varrezat e Serbisë

19:33 | 30 Gusht 2023
haliti:-nje-numer-i-madh-i-personave-te-zhdukur-mund-te-gjenden-ne-varrezat-e-serbise

Zëvendësdrejtuesi i IML-së, Ditor Haliti ka deklaruar se një numër i madh i personave të zhdukur me forcë gjatë luftës, mund të gjenden në Serbi.

Ai në emisionin “Five” të RTV Dukagjinit, tha se gjatë viteve të kaluara në Serbi janë gjetur rreth një mijë mbetje mortore në pesë varreza masive.

Haliti shpreson se dialogu Kosovë – Serbi të hapë rrugë që varreza të tjera masive të gjenden në Serbi.

“Këtë vit kemi pasur rast të shkojmë në lokacionin Shtaval, kur vjet janë ndërprerë gërmimet pa u plotësuar plani. Sivjet ka qenë plani të kthehemi, por është politizuar rasti dhe na është pamundësuar shkuarja. Me shpresë se me fillimin e dialogut të na mundësohet të shkojmë në lokacione në Serbi. 5 varrezat masive me më shumë se 1 mijë individë janë gjetur në varreza masive në Serbi. Shpresat tona janë që një numër i madh i të dashurve tanë janë në këto varreza që nuk janë zbuluar në Serbi”, tha ai.

Tutje ai bëri të ditur se këtë vit IML-ja ka pasur shtatë aktivitete fushore dhe janë gjetur pesë mbetje mortore, të cilave do ju bëhen analizat gjenetike për identifikim.

Komento: