
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot gjatë një konference për media ka folur për kërkesën e opozitës për mbajtjen e zgjedhjeve në vend.
Kurti deklaroi se zgjedhjet e parakohshme s’i konvenojnë opozitës, pasi ajo zhdukët.
Kjo deklaratë e kryeministret ka bërë që opozita të reagoj.
Në një prononcim për Front Online ka folur nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj.
Lekaj tha për Kurtin se ai po gjen kohë të merret me sarkazëm e thashetheme ani pse shteti ka probleme.
Deklaratën e kryeministrit, Lekaj e ka quajtur popullsite e të ulët.
“Kryeministri Kurti, meqë asnjë punë nuk e ka në rregull brenda shtetit, po gjen kohë të merret me sarkazma e thashetheme. Fatkeqësisht, tani e sa kohë z. Kurti merret me politika populliste e për konsum publik. Sot paska thënë që zgjedhjet e reja nuk i konvenojnë opozitës sepse zhduken. Kjo është e ulët si fjalë e mendim”, thotë Lekaj.
Deputeti i AAK-së ka dalë me një kërkesë për Kurtin.
Ai thotë që mos të shqetësohet për opozitën por për qytetarët.
“Kryeministrit i themi që mos të shqetësohet për gjendjen dhe nivelin e partive opozitare, por të merret me qytetarët dhe Kosovën, të cilët njërën anë ka lënë pa mirëqenie dhe anën tjetër po e rrezikon shtetësinë”, theksoi Lekaj për Front Online.
Lekaj ka përmendur disa nga problemet që kryeministri aktual duhet t’i zgjidh.
“Kryeministri ka mjaft tema e probleme që kërkojnë zgjidhje duke filluar nga marrëveshja finale me Serbinë, ikjen e të rinjve nga vendi, gjendjen e dobët të sektorit privat, pagën minimale, mungesën e sigurimeve shëndetësore, zhvillimin ekonomik, ndaljen e keqpërdorimeve në sektorin publik, etj.
Lidhur me këtë temë për Front Online kanë folur edhe nga PDK e LDK.
Nënkryetari i LDK-së, Gazemend Muhaxheri kryeministrin e ka quajtur diktator. Ai ka thënë se vetëm diktatorët duan ta zhdukin opozitën.
“Ëndrrat e diktatorëve janë me shkuar në zgjedhje e me zhdukë opozitën, inshallah si ka shkuar mendja kështu Kurtit. Varët nga qytetarët që votojnë se kush do t’i fitonte zgjedhjet”, u shpreh Muhaxheri për Front Online.
E, nga PDK ka folur deputeti Xhavit Haliti.
Haliti tha se Kurti ta heq merakun e opozitës e të jap dorëheqje.
Ai kryeministrin e ka krahasuar me Nastradimusin.
“Kurti e ka parasysh që me hy në zgjedhje mundët edhe me i humb, por edhe me i fituar se të dyja janë të mundura, por meqenëse ka kaq shumë siklet për opozitën mos po mbetët jashtë institucioneve atëherë le t’ia plotëson dëshirën le të jap dorëheqje dhe të shkojmë në zgjedhje. Edhe nëse mbetët jashtë institucioneve opozita do të përpjekët të hy. Ai si Nostradamusi po sheh ëndrra të këqija”, theksoi Haliti për Front Online.