Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, njofton se ka pranuar informata nën dyshimin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga një zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës.
“Gjatë veprimeve hetimore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë siguruar dëshmi se personi i dyshuar me dashje dhe dijeninë e tij, ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme duke e keqpërdorur detyrën zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas këtij njoftimi, i dyshuari M. K., viti i lindjes 1969, kishte lëshuar dokument të rrejshëm në emër të ATK-së, me qëllim që një biznesi të caktuar t’i lirohen pronat e bllokuara.
Bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit nga PTH-Prishtinë është dërguar në mbajtje për 48 orë.