Shefi i hetimeve në Inspektoratin e Policisë të Kosovës (IPK), Bardhyl Haxhimustafa, ka thënë se ka një numër të konsiderueshëm të veprave penale ku janë duke u hetuar disa zyrtarë policorë.
Hetimet, sipas tij, po bëhen me masa të fshehta.
“Ka një numër të konsiderueshëm të veprave penale që IPK heton ndaj zyrtarëve policorë, divizioni për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsion ka disa raste intensive që është në drejtim të zbardhjes së veprave penale që janë të përfshirë zyrtarët policorë, hetimin është duke e zhvilluar përmes masave të fshehta”, tha ai në emisionin “Five” të RTV Dukagjinit.
Tutje, ai dha detaje për operacionin e koduar “Ulpiana”, ku u arrestuan pesë persona, ndër ta, edhe një zyrtar policor. Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm.
Haxhimustafa bëri të ditur se Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhëresë për bastisje në pesë lokacione, derisa shtoi se ky rast është ende nën hetim.