Ish-kryenegociatori Arifi: Kurti po i ndërron fjalët, do ta bëj edhe Asociacionin

16:50 | 20 Shtator 2023
ish-kryenegociatori-arifi:-kurti-po-i-nderron-fjalet,-do-ta-bej-edhe-asociacionin

Raundi i fundit i dialogut në Bruksel, ndëmrjet Kosovës dhe Serbisë i zhvilluar më 14 shtator, ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesit e BE-së deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për të çuar procesin përpara.

Por, ndryshe nga ta është shprehur Kurti.

Ai ka deklaruar se në takim kishte paraqitur një plan për zbatimin e marrëveshjes, por që i njëjti është refuzuar nga Serbia dhe evropianët.

Kryeministri Albin Kurti po ashtu ka akuzuar emisarin Lajçak, që ky i fundit është pozicionuar kundër Kosovës dhe po ia mban anën Serbisë.

Por, për ish-kryenegociatorin për dialog, Avni Arifi takimi i 14 shtatorit nuk ka përfunduar pa epilog.

Ai për Front Online thotë se epilogu ka qenë jo në favor të Kosovës.

E, kjo për shkak se siç thotë ai është konfirmuar vazhdimi i sanksioneve ndaj vendit tonë.

“Në fakt takimi ka përfunduar me një epilog, por epilogu ka qenë jo i mirë për Kosovën. Pra, epilogu i 14 shtatorit mund të quhet si një konfirmim i vazhdimit të masave ndaj Kosovës, do të thotë masat do të vazhdojnë, kurse adresa e dështimit të 14 shtatorit i është shkruar Kosovës dhe kryeministrit Kurti”, ka deklaruar Arifi, për Front Online.

 

Arifi: Kurtit i është ngushtuar hapësira e manovrimit, bisedimet në Bruksel tani janë vetëm për Asociacionin

Në takimin e 14 shtatorit temë ishte edhe Asociacioni.

Madje, u kërkua që ky i fundit të implementohet sa më shpejtë, gjë të cilën kryeministri Kurti e refuzoi.

Lidhur me këtë ish-kryenegociatori Avni Arifi ka thënë për Front Online, se hapësira e manovrimit në dialog Kurtit i është ngushtuar.

Dhe, duke parë që ky i fundit po ndryshon qëndrime në vazhdimësi, mund ta bëj edhe Asociacionin.

“Unë besoj se hapësira e manovrimit të kryeministri Kurti është ngushtu. Pra, e tërë esenca e bisedimeve të Brukselit është kthy te Asociacioni, do të thotë bisedimet në Bruksel nuk janë më për temat tjera por janë për Asociacionin e që i takon kryeministrit Kurti që të informojë opinionin se cilat do të jenë hapat e tij, a do ta draftoj Asociacionin apo do të insistojë është vështirë me ditë. Marrë nga ajo çka kemi parë deri tash në vazhdimësi ka ndërru mendim Kurti, pra është e pritshme që do të kemi edhe draft-statutin e Asociacionit”, ka deklaruar Arifi, për Front Online.

 

Avni Arifi: Kryeministri Kurti të na tregojë pse Lajçaku u pozicionua nga ana e Serbisë

Ish-kryenegociatori Avni Arifi ka folu edhe për deklaratat e kryeministri Albin Kurit i cili ka thënë se emisari, Miroslav Lajçak ëhstë pozicionuar nga ana e Serbisë.

Ai, ka thënë se Kurti nuk i dëgjoi partitë opozitare dhe personat që kanë qenë të përfshirë në dialog se kanë pas rezerva sa i përket funksionimit të organizimit të Borellit dhe Lajçakut.

“Lajçaku dhe Borrel janë përfaqësues të BE-së. Që nga fillimi partitë tjera dhe ata që kanë qenë në procesin e dialogut kanë pas rezerva bukur të mëdha nga mënyra e funksionimit të organizimit të Lajçakut dhe Borrelit, mirëpo këto vërejtje të partive opozitare kryeministri Kurti i ka injoruar dhe ka pas një raport të shkëlqyeshëm me Lajçakun, se çfarë ka ndodhë që është pozicionu Lajçaku nga Serbia dhe a është pozicionu me të vërtetë nga Serbia, kjo është një pyetje që duhet me u përgjigj kryeministri se çfarë ka ndodhë”, ka deklaruar për Front Online Arifi.

Sipas Arifi, për pozicionin e Lajçakut nga ana e Serbisë, duhet të përgjigjet vet kryeministri Kurti.

“Aq të dobët ishin kosovarët, pra Qeveria e Kosovës që Lajçaku shkoi nga Serbia, a nuk patëm argumente që ta mbajmë të përkushtuar ndaj Kosovës, apo cilat kanë qenë arsyet që Lajçaku nga një partner i plotë besueshëm, u shndërrua në një bashkëpunëtor të Vuçiqit”, ka shtuar ndër të tjera Arifi.

 

Ish-kryenegociatori Arifi: E paqartë se si nga bisedimet për njohje reciproke kemi përfunduar te implementimi i Asociacionit

Ish-kryenegociatori Avni Arifi, në një prononcim për Front Online ka deklaruar së pavarësisht që nuk pati progres në takimin e 14 shtatorit, BE-ja dhe SHBA-të nuk do të tërhiqen nga progresi.

Por, thotë se është e habitshme dhe e paqartë se si nga bisedimet për njohje reciproke i tërë dialogu tani po matet me implementim të Asociacionit.

“Unë besoj se do të vazhdojnë hapat tjerë për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, mirëpo në bazë të asaj çka kemi pa të gjitha adresat qojnë tek krijimi i Asociacionit, e se si erdhi Asociacioni që të jetë hapi i parë dhe kryesor që e kërkon bashkësia ndërkombëtare është pyetje që duhet të bëhet te kryeministri. Me të vërtetë është e paqartë që se si nga bisedimet për njohje reciproke që u bisedojke në vitin 2021 ne kemi përfunduar që i tërë dialogu të matet me progresin e implementimit të Asociacionit”, ka thënë Arifi.

Ai, thotë se kryeministri Kurti duhet të shpjegojë pse BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani po kërkojnë së pari implementimin e Asociacionit

“Nuk ishte qëndrim i BE-së para dy viteve, dhe këtë kryeministri Kurti duhet të na shpjegojë se çfarë ndodhi, nuk ishte qëndrim i BE-së as para një viti, pra ai duhet të na sqarojë pse BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e kërkojnë së pari implementimin e  Asociacionit, cilat kanë qenë arsyet. Logjika që po i shërbejnë Vuçiqit shton dilema e pyetje të tjera, pse nuk po i shërbejnë Kosovës, ku dështuam ne, çka ndodhi që për bashkësinë ndërkombëtare që pika e parë e implementimit të çdo marrëveshje të jetë Asociacioni, a është rezultat i paaftësisë totale të qeverisë që të imponojë agjendë apo eshët rezultat i diçkaje tjetër, dhe për këtë duhet të informohet opinioni prej kryeministrit”, ka shtuar Arifi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano sot në një konferencë për media ka thënë se BE-ja ka një rol ndërmjetësues në dialog dhe një rol për të ndihmuar Serbinë dhe Kosovën të arrijnë kompromisin e nevojshëm që do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre./Front Online

 

 

 

Komento: