Arifi: E paqartë se si nga bisedimet për njohje reciproke kemi përfunduar te implementimi i Asociacionit

18:06 | 20 Shtator 2023
arifi:-e-paqarte-se-si-nga-bisedimet-per-njohje-reciproke-kemi-perfunduar-te-implementimi-i-asociacionit


Ish-kryenegociatori Avni Arifi, në një prononcim për Front Online ka deklaruar së pavarësisht që nuk pati progres në takimin e 14 shtatorit, BE-ja dhe SHBA-të nuk do të tërhiqen nga progresi.

Por, thotë se është e habitshme dhe e paqartë se si nga bisedimet për njohje reciproke i tërë dialogu tani po matet me implementim të Asociacionit.

“Unë besoj se do të vazhdojnë hapat tjerë për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, mirëpo në bazë të asaj çka kemi pa të gjitha adresat qojnë tek krijimi i Asociacionit, e se si erdhi Asociacioni që të jetë hapi i parë dhe kryesor që e kërkon bashkësia ndërkombëtare është pyetje që duhet të bëhet te kryeministri. Me të vërtetë është e paqartë që se si nga bisedimet për njohje reciproke që u bisedojke në vitin 2021 ne kemi përfunduar që i tërë dialogu të matet me progresin e implementimit të Asociacionit”, ka thënë Arifi.

Ai, thotë se kryeministri Kurti duhet të shpjegojë pse BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës tani po kërkojnë së pari implementimin e Asociacionit

“Nuk ishte qëndrim i BE-së para dy viteve, dhe këtë kryeministri Kurti duhet të na shpjegojë se çfarë ndodhi, nuk ishte qëndrim i BE-së as para një viti, pra ai duhet të na sqarojë pse BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e kërkojnë së pari implementimin e  Asociacionit, cilat kanë qenë arsyet. Logjika që po i shërbejnë Vuçiqit shton dilema e pyetje të tjera, pse nuk po i shërbejnë Kosovës, ku dështuam ne, çka ndodhi që për bashkësinë ndërkombëtare që pika e parë e implementimit të çdo marrëveshje të jetë Asociacioni, a është rezultat i paaftësisë totale të qeverisë që të imponojë agjendë apo eshët rezultat i diçkaje tjetër, dhe për këtë duhet të informohet opinioni prej kryeministrit”, ka shtuar Arifi.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano sot në një konferencë për media ka thënë se BE-ja ka një rol ndërmjetësues në dialog dhe një rol për të ndihmuar Serbinë dhe Kosovën të arrijnë kompromisin e nevojshëm që do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre./Front Online

Komento: