
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka shprehur frikën e tij në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.
Ai, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, të martën ka shkruar se Asociacioni mund të sjellë luftë.
“Pikërisht është e kundërta: Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të sjell luftë”, ka shkruar Klinaku në Facebook.
Front Online për këtë paralajmërim të tij ka kërkuar përgjigje nga vet Klinaku se çfarë ka dashur të thotë me këtë deklaratë.
Por, i njëjti pa dashur të deklarohet rreth kësaj, vetëm ka thënë se nuk dëshiron të flasë më shumë, dhe se nuk ka kohë.
Lidhur me këtë deklaratë të Klinakut, Front Online ka folur me ish-komandantë dhe përfaqësues të OVL UÇK-së.
Lushtaku për Asociacionin: Albin Kurti është tradhtar i këtij vendi, nuk e dëshiroj luftën
Ish komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku ka thënë për Front Online se derisa nuk e ka parë draftin e Asociacionit nuk dëshiron të paragjykon asgjë rreth kësaj çështjeje.
“Ne nuk e dimë ende se në çfarë mënyrë është pranuar Asociacioni, prandaj nuk du me paragjyku asgjë. Është obligim dhe detyrë e Albinit me tregu këtë draft”, ka thënë Lushtaku për Front Online.
I, pyetur se a mund të sjellë Asociacioni luftë, Lushtaku ka pohuar se nuk e dëshiron luftën.
“Unë me të tregu drejt jam larg luftës, e kam problem luftën. Unë nuk e di a do të ketë luftë, apo s’do të ketë luftë. Unë nuk e dëshiroj luftën, e kam kaluar një luftë dhe nuk e kam qejf më”, ka shtuar ai.
Ndërsa, rreth asaj që kryeministri Albin Kurti tashmë e ka pranuar Asociacionin, Lushtaku ka thënë se ky i fundit është tradhtar i këtij vendi.
“Mendoj se Kurti është tradhtar i këtij vendi, dhe nuk flas për Kurtin dhe për këtë Qeveri”, ka thënë shkurt Lushtaku.
Xhavit Jashari: Në Kosovë nuk mund të ketë më luftë, por nëse dikush tenton ne jemi këtu
Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari nuk ka dashur të komentoj deklaratën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, por ka thënë se në Kosovë më nuk mund të ketë luftë.
“Ne nuk e kemi parë dokumentin, nuk e dim cilat janë prapavijat e atij dokumenti, por megjithatë në Kosovë më nuk mund të ketë luftë sepse luftën edhe lirinë e ka sjellë lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mendoj se në Kosovë më nuk mund të ketë luftë sepse dihet situata, rrjedhat e të gjitha ato që kanë ndodhë pas luftës së UÇK-së”, ka deklaruar Jashari për Front Online.
Por, shton se nëse dikush tenton, ta bëj këtë atëherë do të ketë kundërpërgjigje.
“I kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jemi vend i lirë fal luftës së UÇK-së, por nëse dikush tenton me ia mësy këtij vendi për me shkaktu prapë luftë ne jemi këtu që t’u përgjigjemi në çdo kohë dhe në çdo moment”, ka shtuar ai.
Sipas tij, të gjithë ata që kanë kontribuar në luftën e vitit 98-99 do të jenë të gatshëm që t’i dalin zot vendit nëse cenohet territori i Kosovës.
“Po normal që gjithë ata që kanë kontribu me ardhë deri të liria, kushdo që e cenon integritetin dhe territorin e këtij vendi dhe dikush tenton t’ia merr lirinë këtij vendi, jemi ne të parët që do t’i dalim zot dhe nuk do të lejojmë një gjë të tillë”, është shprehur Jashari.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë ka deklaruar drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pakrahasimisht më i avancuar se sa ai i vitit 2013.
Kurti është shprehur se ka dërguar vërejtje për këtë draft statut, por sipas tij, ky është pakrahasueshëm më i avancuar se në vitet 2013 dhe 2015./Front Online