Hallka që shpëtoi Gotovinën: Çfarë nga apeli i tij mund t’i vlejë katërshes së UÇK-së?

19:42 | 26 Shtator 2026

Pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Kosovë është rikthyer në vëmendje rasti i gjeneralit kroat Ante Gotovina dhe mënyra se si një vendim dënues u përmbys në shkallën e apelit.

Më shumë se një dekadë pasi u shpall i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, rasti i Gotovinës po rikujtohet si një shembull i një ndryshimi të rëndësishëm të vendimit gjyqësor në fazën e apelit. Megjithatë, ekspertët tërheqin vërejtjen se dy rastet kanë dallime të rëndësishme juridike dhe faktike.

Gotovina ishte dënuar në shkallë të parë me 24 vjet burgim, ndërsa në vitin 2012, Dhoma e Apelit e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë e rrëzoi vendimin dhe e liroi atë.

Një prej elementeve kryesore të betejës së mbrojtjes në atë rast ishte i ashtuquajturi “standardi prej 200 metrash”, i përdorur nga gjykata e shkallës së parë në vlerësimin e sulmeve me artileri gjatë operacionit “Stuhia” në vitin 1995.

Payam Akhavan, i cili kishte qenë pjesë e ekipit mbrojtës të Gotovinës, ka shpjeguar për Radio Evropa e Lirë se si ky element ndikoi në rrëzimin e arsyetimit të shkallës së parë.

“Ishte fiks ajo premisë e gabuar që u bë baza e gjithë teorisë së ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Por e gjithë çështja ishte si një shtëpi prej letrash, dhe sapo u hoq letra e 200 metrave, u shemb e gjithë struktura”, ka thënë Akhavan.

Kjo qasje çoi në përmbysjen e dënimeve ndaj Gotovinës dhe gjeneralit Mladen Markaç, duke e bërë procesin e apelit një prej shembujve të njohur të ndryshimit të një aktgjykimi të shkallës së parë në Tribunalin e Hagës.

Dallimet mes rastit Gotovina dhe atij të ish-krerëve të UÇK-së

Megjithatë, paralelizmi mes dy rasteve ka kufizime. Ekspertët ligjorë dhe ushtarakë theksojnë se çështjet që janë shqyrtuar në procesin ndaj Gotovinës ndryshojnë nga ato që janë objekt i aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Jeffery H. Corn, ekspert ushtarak i angazhuar në rastin e Gotovinës, ka theksuar për REL se dallimi kryesor lidhet me natyrën e përgjegjësisë që është shqyrtuar në dy procese.

“Në rastin Gotovina, çështja nuk ishte nëse ai mbante përgjegjësi për veprimet e vartësve të tij – si komandant, kjo merrej si e mirëqenë. Çështja ishte nëse veprimet e tyre përbënin shkelje të ligjit. Te Thaçi është ndryshe: Nuk kontestohet se pjesëtarët e UÇK-së kanë kryer shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Pyetja është nëse Thaçi mban përgjegjësi për ato shkelje”, ka deklaruar Corn.

Sipas ekspertëve, përvoja e rastit Gotovina nuk mund të kopjohet në mënyrë mekanike në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Megjithatë, një prej mësimeve që mund të nxirret nga ai rast është rëndësia e shqyrtimit të hollësishëm të arsyetimit të gjykatës së shkallës së parë dhe identifikimit të gabimeve të mundshme faktike apo juridike.

Kërkohet mbështetje për ekipet mbrojtëse

Në këtë fazë, rëndësi të veçantë pritet të ketë puna e ekipeve mbrojtëse dhe argumentet që do të paraqiten në procedurat e apelit.

Avokati Tomislav Kuzmanović, i cili kishte qenë pjesë e ekipit mbrojtës të Mladen Markaçit, ka thënë për REL se ekipet duhet të kenë mbështetje të mjaftueshme për përgatitjen e apelit.

“Për mendimin tim është shumë e rëndësishme që ata të kenë ekipe të forta për apel dhe mbështetje të mjaftueshme. Besoj se Kosova ka ndarë resurse të konsiderueshme për ekipet mbrojtëse. Kjo mbështetje duhet të vazhdojë e madje edhe të rritet, në mënyrë që ata të kenë një mundësi reale në apel”, ka deklaruar Kuzmanović.

Edhe institucionet e Kosovës kanë deklaruar se do të vazhdojnë mbështetjen për ekipet mbrojtëse gjatë fazës së apelit.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria do të ofrojë mbështetje për ish-krerët e UÇK-së në procedurat e mëtejshme.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht, dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht”, ka deklaruar Kurti.

Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara me gjithsej 81 vjet burgim: Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi me nga 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Vendimi është i shkallës së parë dhe ndaj tij pritet të zhvillohen procedurat e apelit.

Rasti i Gotovinës mbetet një prej shembujve të rëndësishëm të mënyrës se si një aktgjykim i shkallës së parë mund të rishqyrtohet dhe ndryshohet në apel. Megjithatë, rezultati i një procedure të tillë varet nga argumentet, provat dhe interpretimi juridik që paraqiten para trupit gjykues të apelit.

Siç ka thënë Akhavan, në kontekstin e procesit të apelit, “loja nuk ka përfunduar ende”./Radio Evropa e Lirë/

Komento: