Lushtaku me kritika ndaj VV-së për miratimin e Buxhetit: Me fytyra të lumtura përsëri kundër interesit të qytetarëve

23:39 | 16 Nëntor 2023
lushtaku-me-kritika-ndaj-vv-se-per-miratimin-e-buxhetit:-me-fytyra-te-lumtura-perseri-kunder-interesit-te-qytetareve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, vendimin e marrë nga shumica parlamentare, për miratimin e buxhetit për vitin 2024 e ka quajtur si një planifikim që nuk reflekton interesat e qytetarëve.

Deputeti i PDK-së, në një deklaratë të tij në Facebook, Lushtaku ka akuzuar Qeverinë për manipulime në paraqitjen e të dhënave buxhetore.

“Sot votuan pro një planifikimi buxhetor që nuk parasheh as rritje të pagave as të pensioneve, një planifikim si pasojë e të cilit importi do të rritet e çmimet do të fryhen”, ka deklaruar Lushtaku.

Ai ka theksuar se ndryshimet në shifrat e buxhetit nuk pasqyrohen në mirëqenien e qytetarëve, të cilët sipas tij, ndihen të prekur drejtëpërdrejtë në shpenzimet e përditshme.

“Manipulojnë me rritje të cekët të shifrave, por harrojnë që qytetari preket drejtëpërdrejtë në shpenzimet e përditshme, e nuk i’u shiten këto mashtrime”, ka shtuar ai.

Pas një diskutimi disa orësh, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Por, në votim nuk morën pjesë deputetët e partive opozitare përkatësisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Komento: