Quni për bazat ushtarake serbe rreth kufirit: Çfarëdo ndërhyrje në territorin e Kosovës, atakim i drejtpërdrejtë kundër NATO-s

09:38 | 22 Nëntor 2023
quni-per-bazat-ushtarake-serbe-rreth-kufirit:-cfaredo-nderhyrje-ne-territorin-e-kosoves,-atakim-i-drejtperdrejte-kunder-nato-s


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë ditë më parë se në Rashkë të Serbisë, po shihet një riorganizim i grupit paramilitar dhe terrorist i Millan Radoiçiqit, me mbështetje dhe udhëheqje të shtetit serb.

Sipas Kurtit, më 10 nëntor, Radoiçiq udhëhoqi një takim me rreth 40 politikanë serbë dhe zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova.

Ndërsa së fundi, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se Serbia e ka rrethuar Kosovën me 48 baza ushtarake në kufi dhe se “po presin një moment të volitshëm për mësymje” në Kosovë, shkruan Front Online.

Lidhur me këtë deputeti i LDK-së, njëherit anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Anton Quni në një intervistë për Front Online ka thënë se ka kohë që kjo ka ndodhur, por se shton se s’ka nevojë për instalime të tilla.

“Ka kohë që janë ngrit instalimet e shumta të Policisë, xhandarmërisë dhe ushtrisë së Serbisë për të cilat unë konsideroj se janë të panevojshme përkundër asaj që janë të pozicionuar në formacionin defanziv kinse për të menaxhuar ndonjë rrezik që mund të buroj nga Kosova. Ato në fakt janë të karakterit që rrezikojnë tërësinë territoriale të Kosovës në momente kur ata vlerësojnë që mundet me u kapitalizu”, ka deklaruar Quni.

Sipas deputetit të LDK-së, çfarëdo ndërhyrje brenda territorit të Kosovës do të konsiderohej si ndërhyrje dhe atakim i drejtpërdrejtë kundër NATO-s.

“Thjesht është për të krijuar një bindje që autoritetet e Beogradit janë të brengosura shumë për qytetarët e Kosovës të përkatësisë serbe. Jam më se i bindur përkundër se të gjitha atyre rirreshtimeve, ngritjeve të instalimeve të reja ato nuk do të përdoren, nga fakti se tërësinë territoriale të Kosovës e garantojnë KFOR-i i mandatuar nga Kombet e Bashkuara dhe të udhëhequra drejtpërdrejt nga udhëheqja më e lartë e NATO-s. Çfarëdo ndërhyrje brenda territorit të Kosovës do të konsiderohej si ndërhyrje dhe atakim i drejtpërdrejtë kundër NATO-s”, është shprehur deputeti Quni.

Komento: