Gjykimi ndaj Pjetër Shalës po vazhdon në seancë private

11:13 | 22 Nëntor 2023
gjykimi-ndaj-pjeter-shales-po-vazhdon-ne-seance-private

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës.

Me kërkesën e kryetares së trupit gjykues, Mappie Veld-Foglia seanca kaloi në sesion privat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues tha se në seancë private do të diskutoj lidhur me një çështje.

Ndryshe, gjatë kësaj seance pritet që të vazhdojë dëshminë dëshmitari Zijadin Hoxha, dëshmia e të cilit ka filluar ditën e hënë me 20 nëntor.

Këtë dëshmitar parashihet që ta marrë në pyetje përfaqësues nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ndërsa, mbrojtja e Pjetër Shalës ka paraparë maksimumi 2-3 pyetje për këtë dëshmitar.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Komento: