
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilçik, thotë se liberalizimi i vizave vlen për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, pavarësisht nga kombësia e tyre, transmeton FrontOnline.
Bilçik në përgjigjen e tij për mediat serbe i pyetur për të komentuar thirrjen e Qeverisë së Kosovës drejtuar BE-së për rishikimin e vendimit për heqjen e vizave për pasaportat serbe nga Kosova, tha se është e natyrshme që liberalizimi të mos kushtëzohet me dokumente shtesë.
“Liberalizimi i vizave vlen për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, pavarësisht nga kombësia e tyre, përderisa ata jetojnë në Kosovë. Prandaj, është e natyrshme që liberalizimi të mos kushtëzohet me dokumente shtesë”, tha Bilçik.
Qeveria e Kosovës u ka dërguar një letër zyrtarëve të Bashkimit Evropian lidhur me propozimin e Komisionit Evropian që qytetarët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia të mund të udhëtojnë pa viza dhe në atë letër thuhet se serbët e Kosovës që po marrin pasaportat e Kosovës janë në rritje këtë vit që kur Kosova mori të drejtën për regjimin pa viza.
Shtohet se pasaportat e lëshuara nga Trupi Koordinues i MPB-së së Serbisë ose siç thonë ata “institucion ilegal” paraqesin rrezik për të dhëna të pasakta dhe shkelje të sigurisë për të cilat Kosova nuk mund të mbahet përgjegjëse.
Organizatat e shoqërisë civile shqiptare dhe serbe në Kosovë janë të ndara për propozimin e Komisionit Evropian, gjegjësisht njëra palë thotë se dëmton integrimin e serbëve të Kosovës, ndërsa organizatat joqeveritare serbe në Kosovë mbështesin heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës që zotërojnë pasaporta serbe./FrontOnline/