Ish-zëvendësministri i Arsimit: Brengosëse rritja prej 4 % e numrit të nxënësve që nuk e plotësojnë kriterin minimal të aftësisë

16:06 | 05 Dhjetor 2023
ish-zevendesministri-i-arsimit:-brengosese-rritja-prej-4-%-e-numrit-te-nxenesve-qe-nuk-e-plotesojne-kriterin-minimal-te-aftesise

Rezultatet e testit ‘PISA 2022’ u publikuan të martën.

Kosova është renditur e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim.

Ndërsa, në vendin e 77-të për shkencë.

Pas këtyre rezultateve ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Ajo tha se të pritshme kanë qenë këto rezultate.

Ministrja fajin e ka hedhur tek pandemia e ndërrimi i Qeverisë.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, theksoi Nagavci.

Pritshmëri të njëjta ka pasur edhe ish- zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Ai për Front Online tha se gjenerata e tanishme është përballur me çrregullime serioze.

“Ky rezultat është i pritshëm se kjo gjeneratë e nxënësve është përballë me çrregullime serioze të procesit së mësimit shkollor, kjo nuk ka mund të rezultojë me përmirësim”, tha ai.

Rritja e numrit të nxënësve që nuk e plotësojnë kriterin minimal të aftësisë është brengosës, thotë ish-zëvndësministri i Asimit.

Pupovci thotë se për 4% është rritur numri i këtyre nxënësve nga viti 2018.

“Brengosëse është rritja e % së nxënësve që nuk e plotësojnë as kriterin minimal të aftësive . Në 2018 në fushën e leximit kemi pas diku 79% të nxënësve që nuk e kanë plotësuar këtë kriter tash e kemi 83% e ngjashme është në matematikë dhe shkenca. Ky rezultat duhet të përmirësohet në periudhën vijuese”, ka deklaruar Pupovci.

Ish-zëvendësministri tha se ka rënie të rezultatit të PISA në nivel global.

Ai ka treguar një situatë në nivel global dhe Kosovë në gjendjen në matematikë.

“Si ilustrim, gjendja në matematikë në 2018 në nivelin global mesatarja është 17 pikë më pak në testin PISA e kjo është e barasvlershme me një gjysme vjetor të shkollimit . Konsiderohet se ata nxënës kanë një gjysmë vjetor më pak në raport me nxënësit e vitit 2018. Në Kosovë kjo rënie është në 11 pikë në PISA kjo nuk është për lëvdatë se pikët tona kanë qenë të ulëta. Në nivelin global ka rënie të rezultatit të PISA në raport më 2018”, u shpreh ai.

Rezultatet e ulëta në PISA, sipas Pupovcit tregojnë gjendjen jo të mirë në arsim.

Këta janë hapat që duhet të merren sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit për përmirësimin e rezultateve në këtë test.

“Këto rezultate po tregojnë se gjendjen në arsim nuk e kemi aspak mirë, dhe hapat që ndërmerren duhet të jenë dimensional. Të ndërtohet një sistem i mirëfilltë i llogaridhënies, të rregullohen puna e vlerësimit të jashtëm, testi i arritshmërisë i maturës që mos të shpresojë askush që kalohet pa dije. Përmirësimi i mësimdhënies ofrimin e mbështetjes e mësimdhënësve në shkolla dhe vlerësimi i jashtëm i tyre si licencim e inspektim. Pa u rregulluar këto mekanizma nuk do të ketë përmirësim të rezultateve”, ka përfunduar Pupovci.

Për këtë rezultat që është arritur në testin PISA për Front Online ka folur kryetari i Sindikatës së bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Sipas tij, kjo është shqetësuese, por se gishti nuk duhet të drejtohet vetëm tek njëra palë, pra tek mësimdhënësit.

“Rezultatet që u publikuan në media sot janë shqetësuese dhe askush nuk mund të ndihet mirë veçmas ne që jemi të ndërlidhur drejtpërdrejtë me sistemin arsimor, por uroj që të mos ndodhë si herëve të kaluara që një javë rresht të drejtohet gishti vetëm në një anë, uroj të mos ketë deklaratë të ashpra ndaj njërës palë, në këtë rast vetëm ndaj mësimdhënësve”, është shprehur Jasharaj.

 

Komento: