Osmani: Marrëveshja që ndërpreu grevën në Trepçë nuk po zbatohet, është thyer e tëra

19:24 | 05 Dhjetor 2023

Minatorët e Trepçës edhe pas grevës dhjetë ditëshe, po ankohen se marrëveshja që i dha fund grevës, nuk po zbatohet.

Përveç shpalljes së konkursit për kryeshefin e ri, që edhe ishte një prej kërkesave, pikat e tjera, sipas tyre nuk po zbatohen.

Por, edhe kjo pikë po zvarritet, pasi që konkursi vetëm po shtyhet, shkruan Front Online.

Kurse, me të arritur marrëveshjen për përfundim të grevës dakordimit iu shtua edhe një pikë tjetër.

Kthimi në vendet e punës të punëtorëve që u suspenduan shkaku i grevës.

E, njëri prej të suspenduarve është edhe Gani Osmani, i cili deklaron se pajtimi që u arrit për t’i dhënë fund grevës, nuk po përfillet.

Ai po thotë se edhe pas dakordimit, ushtruesi i detyrës së kryeshefit kishte suspenduar edhe gjashtë minatorë të tjerë.

“Asnjë pikë nuk është përfill. Marrëveshja është thy mu atë ditë që ne kemi dalë nga greva. Pra pika e katërt ka qenë mos me u sanksionu më askush dhe me u kthy mbrapsht vendimi për të sanksionuarit, ndërsa të nesërmen kryeshefi e ka qit vendimin dhe i ka suspendu edhe gjashtë minator të tjerë. Paga nuk ka dal komplet ka dal vetëm 92% , 8% nuk janë dal prej 6 deri me datën 10 qysh jemi marrë vesh, por me 24 ose 25 të muajit nuk e di saktë”, ka deklaruar Osmani, për Front Online.

Osmani ka folur edhe për shpalljen e konkursit për kryeshef të ri.

“Edhe ajo pjesa për me u shpallë konkursi për kryeshef, as kjo nuk ka ndodhë. Ka dal konkursi është zhagitë, njëherë kanë thënë do të jetë vetëm për tetë ditë, pastaj kanë thënë e kemi zgjatë edhe për tri ditë kohën e konkursit, pra me një fjalë marrëveshja është thyer krejt dhe asnjë pikë nuk është realizuar deri tash”, ka shtuar ai.

I pyetur se cilat do të jenë hapat që do t’i ndërmarrin pasi marrëveshja nuk po zbatohet, Osmani ka treguar se atyre që janë suspenduar u është ndaluar që të hyjnë edhe brenda rrethojave të Trepçës, dhe se nuk e din se çfarë do të ndodhë.

Por, se shton se çfarë do vendimi që do të marrin minatorët, ai do të jetë me ta.

“Nuk e di çfarë do të ndodhë tash sepse kjo varet prej të gjithë minatorëve siç ka ndodhë më herët. Nuk po di çfarë përgjigje me të dhënë. Ne jemi një grup të suspenduar, dhe që një muaj neve na është ndaluar të hymë edhe brenda rrethojave të Trepçës, pra nuk kemi kontakt aq shumë edhe më minator sepse jemi të suspenduar pra në një farë mënyrë jemi të izoluar prej minatorëve të tjerë, por çfarë do që vendosin minatorët ne do të jemi me ta”, është shprehur ndër të tjera Osmani.

Minatorët hynë në grevë më 24 tetor në kërkim të kushteve më të mira të punës.

Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Por, muajt e fundit, minatorët i kanë marrë pagat mujore të ndara në dy pjesë.

Minatorët nuk kanë sigurime shëndetësore, as jetësore dhe vazhdimisht kanë kërkuar t’i kenë të njëjtat.

Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje./Front Online

 

Komento: