Kritikohet vendimi i Qeverisë për subvencionim të drurëve, alarm se do të mbesim pa pyje

16:40 | 06 Dhjetor 2023
kritikohet-vendimi-i-qeverise-per-subvencionim-te-drureve,-alarm-se-do-te-mbesim-pa-pyje


Aktualisht çmimi i drurëve sillet nga 60 deri 70 euro për metër katror.

E për t’ua lehtësuar barrën, Qeveria e Kosovës ka ndarë 5 milionë euro për familjet me asistencë sociale.

Ministri Hekuran Murati ka thënë se 120 euro do të ndahen për familje, e më pas edhe nga 30 euro për secilin anëtar të familjes.

Prej kësaj mase, do të përfitojnë rreth 21 mijë familje në Kosovë.

Mirëpo kjo masë po kritikohet nga ekspertë të kësaj fushe.

Ish-kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK), Muzafer Luma, në një prononcim për Front Online ka thënë se kjo ndarje e Qeverisë nuk është e qëndrueshme.

Sipas tij, blerja e drurëve stimulon dëmtimin e pyjeve.

“Nëse furnizimi bëhet në këtë formë, iu jepen familjeve 200 euro edhe ajo me i siguru vet drutë kjo formë nuk po më duket e qëndrueshme, sepse ata mundet me i ble drutë në mënyrë ilegale. Nëse iu lejohet kjo familjes, kjo mundet me i stimulu dëmtimin e pyjeve, prerjen ilegale të pyjeve”, u shpreh ai për Front Online.

 

Ish-kryeshefi i Pyjeve për subvencionimin e Qeverisë: Jemi në dhjetor, është vonë – kështu po stimulohet prerja ilegale e pyjeve

 

Ish-kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK), Muzafer Luma, thotë se Qeveria do të duhej të organizonte kompani legale për t’i furnizuar familjet me dru.

Por sipas tij, as kjo nuk funksionon tani se është vonë.

“Unë kam menduar që Qeveria i ndanë 5 milionë dhe e nxjerr tenderin dhe kompanitë e pyjeve aplikojnë, mirëpo kjo ka përfundu, tani nuk ka kohë, është dhjetori, por nëse familjes i lejohen që t’i blejnë është rrezik që të stimulohet prerja ilegale e pyjeve”, u shpreh ai.

Mundësi të vetme, Luma e sheh që blerjen e drurëve familjet ta dëshmojnë me dokument.

“E vetmja mundësi është që Qeveria kur t’i jap paret duhet me dëshmu që kur te blen le të marr dokument që ai dru është legal, nëse nuk shkojnë me kontrollimin atëherë është rrezik që të dëmtohen pyjet”, u shpreh ai për Front Online.

 

Eksperti i Mjedisit: Me vendimin e Qeverisë do të ketë më shumë pyje të prera, s’e përkrahim

Vendimin për ndarjen e mjeteve për drurë për familjet me asistencë sociale e ka kritikuar profesori i Mjedisit, Sami Makolli.

Ai në një prononcim për Front Online ka thënë që me këtë masë ndihmuese, do të keteë më shumë pyjë të prera e të dëmtuara.

“Në fakt ideja për të stimuluar blerjen e drurëve nuk është ide e mirë, nuk e përkrah askush që merret me mjedisin. Fakti që derdhen 5 milionë euro për me ble dru, është një masë stimuluese që nxit me ble dru, kemi më shumë pyje të prera, pak më shumë ndotje, mendoj që me të njëjta mjete kishim mundur me gjet një zgjidhje që kish me qenë më e qëndrueshme edhe për ata, edhe për mjedisin, edhe për qytetarët”, u shpreh ai për Front Online.

 

Alarmon profesori i Mjedisit: Nëse vazhdohet me këtë tempo, në vitet 2035-2040 do të mbesim pa pyje, pa drurë

 

Profesori i Mjedisit, Sami Makolli ka alarmuar lidhur më prerjen në masë të madhe të pyjeve.

Duke kritikuar vendimin e Qeverisë për subvencionimin me drurë për familjet me asistencë sociale, ai për Front Online ka thënë se nëse dëmtohen pyjet më këtë tempo, deri më 2040 do të zhduken.

“Çdo vit harxhojmë diku 500 mijë metra kub, më shumë prejmë drurë, se sa munden me u gjeneru gjatë vitit, që nëse vazhdojmë me këtë tempo diku në vitet 2035-40 do të mbesim pa asnjë pyll, do të zhduken të gjitha pyjet, aq keq e kemi gjendjen”, deklaroi ai.

 

Ndarja e mjeteve për drurë/ Galushi: Ndihmesë për komunitetet, nuk kanë pasur mundësi për pajisje elektrike

Vendimin e Qeverisë për subvencionim të drurëve për familjet me asistencë sociale e kanë mirëpritur nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian.

Ish – zëvendësministri i Bujqësisë, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, Erxhan Galushi në një prononcim për Front Online ka thënë që mjetet e ndara për dru, janë ndihmesë për familjet në nevojë.

Ai thotë kjo ndihmë është shumë e nevojshme për komunitetet që sipas tij është janë numër koxha i lartë që janë me asistencë sociale.

“Në bazë të asaj që Qeveria ka nxjerr masa për subvencionimit të pajisjes elektrike ky grup i kësaj kategorie nuk ka mundur me i përmbush ato kushte për me u pajis me këto pajisje elektrike. Ne si deputetë të komuniteteve në bashkëpunim të mirë me ministra, kemi kërku që së paku të bëhet një zgjidhje për personat në nevojë që janë me asistencë sociale të cilët nuk kanë mundur me e arrit këto gjëra me pajisje elektrike, bile me mujt me e bë një zgjidhje për blerjen e lëndëve djegëse për me mujt me kapërcy këtë dimër”, deklaroi ai për Front Online.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se rreth 21 mijë familje, me total rreth 81 mijë anëtarë përfitues do të subvencionohen për blerjen e lëndëve djegëse, në mënyrë që të kalojnë dimrin sa më lehtë.

 

Komento: