Kërkohet përjashtimi i trupit gjykues në gjykimin për vrasjen e policit në Zllatar

14:16 | 08 Dhjetor 2023
kerkohet-perjashtimi-i-trupit-gjykues-ne-gjykimin-per-vrasjen-e-policit-ne-zllatar

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Besnik Berisha ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues në rastin ku Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje eventuale ka privuar nga jeta policin, L.H., gjatë një ndenje të organizuar nga pjesëtarët e Policisë në Zllatar, në shkurt të vitit të kaluar.

Fillimisht avokati Berisha kërkoi që seanca e sotme të shtyhet me arsyetimin se prokurori i rastit Ilaz Beqiri tashmë është avancuar si prokuror në Prokurorinë e Apelit andaj për këtë lëndë duhet caktuar një tjetër prokuror si dhe për faktin se është problematike që seanca e sotme të mbahet në temperatura të ulëta që po mbizotëronin në sallë.

Propozimet e tilla janë refuzuar nga trupi gjykues me arsyetimin se gjykata vlerësoi se prokurori i çështjes është në sallë dhe ka të gjitha përgjegjësitë dhe kompetencat ligjore për ta përfaqësuar lëndën, ndërkaq sa i përket kushteve në sallë kushtet janë të njëjta për të gjithë.

Pas kësaj avokati Berisha ka deklaruar se kërkesa e tij është e mbështetur në ligj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kërkesa që do parashtrojmë nuk ka për qëllim apelimin e vendimeve as nuk vjen si rezultat i pakënaqësisë së vendimeve, por mbështetë në ligj dhe duhet ta parashtrojmë kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues rrethanat dhe arsyet do ti paraqes me shkrim në kërkesën që do ja parashtrojmë kryetares së gjykatës”, ka shtuar ai.

Këtë propozim e kundërshtoi mbrojtësi i të akuzuarit Mehmetit, avokat Labinot Buzuku si dhe kërkoi ndryshmin e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit Fatlum Mehmeti ashtu që kjo masë të i zëvendësohet me arrest shtëpiak pasi që kanë përfunduar të gjitha shkaqet dhe arsyet me të cilat i njëjti mund të qëndrojë në paraburgim.

Pas kësaj i akuzuari Mehmeti ka deklaruar se kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues është e paarsyeshme dhe e pabazë.

“Kërkesat e avokatit Berisha janë kërkesa të paarsyeshme dhe te pabaza dhe qëllimi i vetëm është prolongimi dhe stërzgjatja e këtij procesi duke dashur qe me nejt unë sa ma gjatë në paraburgim..”, ka shtuar ai.

Sa i përket kërkesës për arrest shtëpiak i njëjti tha se shpreh vullnetin dhe gatishmërinë e plotë që bazuar në ligjet pozitive në vend të përdoret çfarëdo lloj modaliteti ndaj tij e nëse është nevoja edhe pranga elektronike ose vendosje e kamerave ndaj tij.

Pas këshillimit trupi gjykues vendosi që seanca e sotme të ndërpritet meqenëse ka kërkesë për përjashtim të trupit gjykues deri sa për ketë çështje të vendoset nga kryetarja e gjykatës, ndërsa theksoi faktin se ky trup gjykues nuk mund të vendos për kërkesën për zëvendësim të masës për arsye se tani më është kërkuar përjashtimi i tyre nga ky rast.

Përndryshe ky rast është gjykuar nga gjykatësit Kushtrim Shyti, Sulltane Hoti dhe Naser Foniqi.

I akuzuari Mehmeti më 14 prill 2023 është deklaruar i pafajshëm se nga “dashja eventuale” kishte vrarë policin L.H, në shkurt të 2022-ës, në një organizim shoqëror në Zllatar të Prishtinës.

Komento: