Krasniqi: Viti i katërt që nuk ndahet asnjë cent për Kaçanikun, Qeveria Kurti po i penalizon qytetarët në baza partiake

17:23 | 12 Dhjetor 2023
krasniqi:-viti-i-katert-qe-nuk-ndahet-asnje-cent-per-kacanikun,-qeveria-kurti-po-i-penalizon-qytetaret-ne-baza-partiake

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për diskriminim në ndarjen e buxhetit për komunat. Gjatë vizitës në Kaçanik, Krasniqi tha se është viti i katërt që qeveria nuk ndanë asnjë cent për këtë komunë.

“Secili qytetar i Kosovës duhet ta dijë se Qeveria aktuale e kryeministrit Kurti po i penalizon qytetarët në baza partiake dhe politike. Është viti i katërt që Komuna e Kaçanikut nuk e merr asnjë cent nga qeveria qendrore. Është një diskriminim i egër. Është një përjashtim i papranueshëm, sepse qytetarët anembanë Kosovës kanë votuar për parti të ndryshme, por qeveria e ka për obligim që t’u shërbejë të gjithëve. Ashtu siç po u shërben të gjithëve kryetari Besim Ilazi”, ka thënë kryetari Krasniqi.

Më tej, ai ka shtuar se katër komuna, nga tetë që udhëhiqen nga kryetarë të Partisë Demokratike të Kosovës, kryesisht nga rajoni i Ferizajt dhe Drenica, nuk e kanë marrë asnjë cent nga Qeveria e Republikës së Kosovës për vitin e ardhshëm.

“Kjo është e papranueshme. Ky diskriminim duhet të përfundojë, sepse institucionet janë të të gjithë qytetarëve, dhe duhet t’u shërbejnë të gjithëve, pa dallim”, ka thënë më tutje kryetari i PDK-së.

Përtej mungesës totale të mbështetjes nga ana e qeverisë, kryetarin Krasniqi e ka inkurajuar përkushtimi i madh i kryetarit Ilazi dhe ekipit të tij, për të realizuar jo vetëm premtimet që i kanë dhënë në fushatë para dy vitesh kur kanë marrë besimin e qytetarëve të Kaçanikut edhe për një mandat, por edhe për t’i tejkaluar ato.

“Sot jemi këtu në sheshin e qytetit, i cili do të jetë një projekt transformues. Një projekt që është në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe që vërtetë po e ndryshon fytyrën e qytetit të Kaçanikut. Projekt që është kryekëput punë e qeverisjes lokale, pa mbështetjen e Qeverisë qendrore”, ka thënë Krasniqi.

Në fund, kryetari Krasniqi ka thënë se edhe në Kaçanik, shihet një model i qeverisjes, që në nivelin qendror po ju mungon qytetarëve.

“Ky është modeli i mbajtjes së premtimeve. Ky është modeli i kryerjes së punëve. Ky është modeli i shërbimit ndaj qytetarëve – që Partia Demokratike e Kosovës e ka instaluar tashmë në komunat që udhëhiqen nga kryetarët nga radhët e saj, e që do ta sjellë edhe në nivelin qendror”, ka përfunduar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se me buxhetin komunal, janë përpjekur që t’iu dalin zot qytetarëve të Kaçanikut me projekte të ndryshme – edhe pse kërkesat dhe nevojat e tyre, në mungesë të mbështetjes nga Qeveria, janë më të mëdha sesa mundësitë buxhetore.

Komento: