Ish-ministrat e Arsimit kërkojnë që të filloj urgjentisht vlerësimi i mësimdhënësve, MASHT-i ka nisur përgatitjet

08:06 | 14 Dhjetor 2023
ish-ministrat-e-arsimit-kerkojne-qe-te-filloj-urgjentisht-vleresimi-i-mesimdhenesve,-masht-i-ka-nisur-pergatitjet

Rezultatet e testit PISA, që u publikuan javën e kaluar, e vendosën Kosovën në vendet e fundit në renditje.

Kjo ka nxitur reagime në opinion.

Sot në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se PISA po tregon se s’po shkon diçka mirë në fëmijërinë relativisht të hershme të nxënësve.

E sipas ekspertëve në mënyrë që të përmirësohet kjo gjendje është e domosdoshme që të filloj vlerësimi i mësimdhënësve.

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci për Front Online ka thënë se urgjentisht duhet të fillohet me këtë proces.

Pasi sipas tij, me vlerësimin e mësimdhënësve vendoset kontroll brenda sistemit, si dhe është stimulues për mësimdhënësit ngase lidhet me Ligjin e Pagave.’

“Unë mendoj që duhet të filloj sa më shpejt vlerësimi i përformancës së mësimdhënësve, sepse e para vendoset një kontroll brenda sistemit, dhe e dyta është stimuluese sepse lidhet me Ligjin e Pagave. Nëse mësimdhënësit fitojnë një shkallë më të lartë të licencës, atëherë ata do t’i kenë pagat edhe më të mëdha sipas ligjit, prandaj mendoj që është një proces që duhet të përshpejtohet”, u shpreh ai për Front Online.

 

Ish zv/ministri Pupovci: Sa më shpejt duhet të nis vlerësimi i mësimdhënësve, mund të zgjasë deri në 4 vjet

 

Dukagjin Pupvoci, ish zv/ministër i Arsimit për Front Online ka thënë se vlerësimi i mësimdhënësve mund të zgjasë deri në 4 vjet.

Sipas tij, brenda vitit mund të vlerësohen deri 5 mijë mësimdhënës.

“Unë mendoj që sistemi ynë mundet me i vlerësu diku 4-5 mijë mësimdhënës brenda vitit, pra mund të shkoj deri në katër vjet derisa të përfshihen të gjithë mësimdhënësit, mirëpo unë mendoj që kur fillon procesi njerëzit e dinë që do të ketë një vlerësim të performancës, atëherë ata vet do të angazhohen pak më shumë qëkur të vjen rendi të dalin më mirë”, u shpreh ai.

 

Për Pupovcin, vlerësimi duhet të bëhet te performanca për një periudhë të gjatë.

“Sepse vlerësimi i performancës nuk ka të bëjë vetëm me ditën e vlerësimit, por faktikisht me tërë një periudhë, mësimdhënësve iu kërkohet portofolio, ju kërkohet çfarë kanë punuar gjatë periudhës të caktuar, dhe të gjitha do të merren parasysh me rastin e vlerësimit, nuk është ajo vetëm çështje e 15-20 minutave sa zhvillohet  biseda mes vlerësuesit dhe mësimdhënësit”, u shpreh ai për Front Online.

 

Çka thotë Ministria e Arsimit për vlerësimin e mësimdhënësve, kur do të nis procesi?

 

Ministria e Arsimit thotë se për licencimin e mësimdhënësve është bërë udhëzimi i ri administrativ dhe është emëruar nga ministrja Nagavci, Këshilli Shtetëror.

Përmes një përgjigjeje për Front Online nga MASHT-i thonë që duke u bazuar në udhëzimet e reja, për licencën e karrierës janë përgjegjës vetë komunat dhe shkollat.

“Bazuar në Udhëzimin e ri Administrativ për funksionimin dhe rolin e Këshillit Shtetëror për licencimin e mësimdhënësve, është bërë konsolidimi i këtij këshilli me anëtarët e rinj të emëruar nga ministrja. Ky këshill e ka prioritet përgatitjet për sistemin e vlerësimit dhe avancimit të mësimdhënësve bazuar në pakon e udhëzimeve administrative që kanë të bëjnë me licencimin dhe avancimin në karrierë të mësimdhënësve. Kjo do të vendosë baza për sigurim të cilësisë sipas kritereve dhe standardeve të përcaktuara. MASHTI është duke punuar me intensitet të lartë në përgatitjen e dokumenteve, udhëzuesve për licencën e avancuar. Sa i përket licencës së karrierës bazuar nga udhëzimet e nxjerra nga MASHTI, tashmë përgjegjëse për këtë proces janë komunat dhe shkollat”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së arsimit.

 

Rexhaj: Mësimdhënësit hyjnë në mësim me një shkumës, politika s’e ka prioritet arsimin

 

“Për arsimin e dobët, është fajtore politika”. Kështu po vlerëson ish zv/ministrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj.

Ai në një prononcim për Front Online ka thënë se problemet e arsimit janë të thella për shkak të mungesës së investimeve në këtë fushë.

Ai thotë se arsimi nuk po është prioritet as për partitë politike.

“Problemet në arsimin kosovarë janë më të thella. Vlerësimi ose testimi i mësimdhënësve duhet të bëhet jo se dolëm keq në PISA edhe tash po duhet me i dënu mësimdhënësit, jo jo. Njëherë duhet me i dënu disa të tjerë politika që investimet në arsim nuk janë të mjaftueshme, Parlamenti që nuk merret me arsimin, partitë politike që arsimin nuk e kanë prioritet aspak, drejtoritë komunale që nuk ofrojnë përkrahje për shkolla dhe për mësimdhënës, dhe kur t’i kryejnë këta atëherë shumë lehtë është me u organizu vlerësim por edhe dënime për mësimdhënësit”, u shpreh ai për Front Online.

Ai thotë se mësimdhënësit hyjnë në mësim me një shkumës, pasi që nuk kanë pajisje të tjera.

“Mendoj se problemet e Kosovës janë shumë më të thella sesa vlerësimi i mësimdhënësve. Shumica e mjeteve financiare në Kosovë në arsim, shkojnë vetëm për paga, mbi 90% shkojnë vetëm për paga, në atë rast kurrgjë ose aspak nuk mbetet për mjete materiale, për pajisje, për materiale mësimore, për teknologji, për materiale mësimore që duhen për fëmijët e vegjël, domethënë arsimtarët shkojnë në mësim vetëm me një marker, ose shkumës”, tha ai për Front Online.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke komentuar rezultatet e testit PISA, ka thënë se defektet strukturore në sistemin arsimor nuk mund të rregullohen përnjëherë e shpejt, defekte të cilat sipas kryeministrit, shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë.

Komento: