
Nuk ka kaluar propozimi i deputetit të Vetëvendosjes, Eman Rrahmani i cili kërkoi që koeficienti i pagës nga 110 sa është paraparë në projektbuxhetin për 2024 të rritet në 115 euro për sektorin publik.
Mirëpo, kundër tij kanë votuar shumica e deputetëve të pushtetit.
Me këtë veprim të pushtetit, sindikata thonë se tanimë janë mësuar.
Megjithatë nuk do të ndërmarrin asgjë.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Front Online ka thënë që nuk kanë ndonjë kërkesë nga anëtarësia për grevë.
“Jo nuk kemi me ndërmarr asgjë, sepse nuk kemi ndonjë sinjal nga baza, nga anëtarësia në bazë të kërkesave, për momentin nuk ka ndonjë kërkesë për veprimet sindikale apo protestë, dhe ne mbesim ta respektojmë mendimin e tyre dhe ne jemi në konsultim të vazhdueshëm me ta”, tha ai.
Jasharaj: Ironike ngritja e koeficientit për pesë euro, Qeveria po u ik sindikatave
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Front Online tha se ngritja e koeficientit për pesë euro është ironike.
Jasharaj tha se Qeveria Kurti po iu ik sindikatave.
“Të gjitha kërkesat tona nuk janë përfill, këtë po e them ngase Qeveria Kurti ka qasje të gabuar ndaj dialogut dhe e mohon, i ik dialogut me sindikatat dhe nuk i merr parasysh kërkesat legjitime të tyre, por vendos ashtu siç do vet. Kjo ngritje është ironike dhe ka bërë që të ketë edhe më shumë pakënaqësi tek punëtorët e arsimit, por jo vetëm”, deklaroi ai për Front Online.
Murseli i Shërbyesve Civil: Qeveria Kurti për qëllime të veta e rrënon shtetin, e turpshme
Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Mursel Zymberi për Front Online ka thënë se Qeveria Kurti është duke i bërë dëm të madh shoqërisë.
“Realisht duke e parë se qysh po e shpenzon buxhetin e shtetit kjo Qeveri për neve nuk është e çuditshme dhe jemi mësu edhe me i kthjellu. U mësuam me këto gabime të qëllimshme dhe deri ku shkon kjo le të masin vet, por e di që janë duke e bërë një dëm shumë të madh shoqërisë”, u shpreh ai.
Zymberi thotë që këtij pushteti nuk i bëhet vonë për sindikatat.
Ai thotë që Qeveria Kurti vetëm për të arritur qëllimet e veta, shkon deri në rrënim të shtetit.
“Unë e shoh që kjo Qeveri të nxit, nëse i futesh grevës ose protestës çdo ditë deri në rrënim të shtetit se nuk dëshiron më dëgju. E pamë se si veproi me sindikatën e punëtorëve të Trepçës, e pamë se si iu përgjigj sindikatës së policisë, dhe e pamë se si iu ka përgjigjur sindikatës së shëndetësisë, që nënkupton që fare nuk iu kanë përgjigj dhe nuk i bëhet vonë fare dhe në përgjithësi vjen në krizë rrënimi i shtetit vetëm që t’i mbaj qëllimet dhe qëndrimet e veta. Është e tepërt dhe e turpshme nuk ka si kjo”, u shpreh ai për Front Online.
Përkrahje nuk morën as amendamentet për sigurimin shëndetësor dhe pensionimin e parakohshëm për Policinë.