
Më 12 maj të vitit të kaluar Kosova edhe zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Që nga ajo kohë e deri më tani kur janë bërë më shumë se një vit e gjysmë, dhe diskutimet rreth kësaj çështjeje janë duk vazhduar. Pikërisht të hënën është mbledhur edhe grupi koordinues për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Në këtë takim u tha se që nga momenti i aplikimit të Kosovës për anëtarësim procesi pati një rrjedhë të suksesshme, shkruan Front Online.
Madje, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka deklaruar se tani jemi pothuajse në fazën përfundimtare të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Por, se a ka sinjale pozitive në këtë drejtim së paku për vitin e ardhshëm, për Front Online kanë folur deputetë të opozitës.
Disa prej tyre thonë se sanksionet që i janë vendos Kosovës nga Bashkimi Evropian mund të ndikojnë në këtë drejtim, por ka edhe të tjerë që deklarojnë se çështja e sanksioneve nuk ndërlidhet me anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Xhavit Haliti: Saksionet e BE-së mund të jenë problem për anëtarësimin e Kosovës në KiE
Deputeti i PDK-së, njëherit anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Xhavit Haliti ka shprehur dyshime që anëtarësimi mund të ndodhë derisa Kosova është e sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
“Problem i madh është tani sanksionet që ia kanë vendos Kosovës dhe nuk e di Kosova me sanksione a mund të kalojë kjo çështja e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Jam i dyshimtë që mund të bëhet, megjithatë unë do të kisha pas dëshirë shumë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës sepse hapet një derë e mirë, e duhur edhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut edhe për disa çështje të tjera të rëndësisë së veçantë që janë në interes të Kosovës”, është shprehur Haliti për Front Online.
Kurse, thotë se si komision nuk kanë të dhëna konkrete se çfarë konkretisht është duke ndodhur tani për tani.
“Ne si komision nuk kemi të dhëna konkrete as nuk kemi ndonjë raportim të cilin e ka bërë delegacioni sepse ata zyrtarisht do të duhej me raportu në mënyrë paralele edhe Komisionit për Punë të Jashtme por ata i bëjnë raportim Kryesisë së Kuvendit dhe Kryesia e Kuvendit nuk e ka shpërndarë asnjëherë raportin e delegacionit nëpër komisionet përkatëse në parlamentin e Kosovës”, ka shtuar ai.
Deputetja e AAK-së: Çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE do të rikthehet në pranverën e vitit 2024
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë për Front Online se po bëhet punë e madhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
“Kosova e ka kaluar fazën e parë, ka ende shumë punë për t’u bërë. Ka qenë një mobilizim i madh, e dini se në Këshill të Evropës po përfaqësohemi me nga një deputet prej secilës parti parlamentare dhe që janë duke bërë një punë të madhe. Po bëhet një punë e madhe jo vetëm e Qeverisë por e krejt ekipit komplet dhe komisionet parlamentare”, është shprehur deputetja Kadrijaj.
Ndërsa, tregon se si çështje do të rikthehet përsëri në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Do të rikthehet si çështje në pranverë sepse tash jemi në fund të vitit. Ne i gëzohemi kësaj sepse jemi duke punuar në atë drejtim, kurdo që ndodhë e meriton Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Evropës dhe është mirë me shfrytëzu këtë periudhën sa Rusia është në sanksione”, ka thënë ajo.
E, sa i përket vendosjes së sanksioneve nga Bashkimi Evropian, Kadrijaj deklaron se këto të fundit nuk do të duhej ta sanksiononin Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Unë mendoj se sanksionet që i janë vendos Kosovës janë në një kontekst krejt tjetër, jo në kontekstin aktual. Këto janë jo për Këshillin e Evropës dhe nuk është dashtë që për shkak të sanksioneve që i ka Kosova të vazhdoj më e sanksionua Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, është shprehur ndër të tjera deputetja Kadrijaj.
Front Online për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe nga deputetet e LDK-së, Doarca Kica-Xhelili e cila është anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Rezarta Krasniqi kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, por as njëra nuk kanë kthyer përgjigje.
Shefja e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla më 5 dhjetor ka pritur në takim një delegacion nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.
Ajo me këtë rast ka njoftuar delegacionin nga AP e Këshillit të Evropës për zhvillimet e fundit në Kosovë, progresin e shënuar në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve pakicë, progres ky i vlerësuar lart edhe nga organizatat e pavarura ndërkombëtare.
Gërvalla theksoi nevojën e anëtarësimit të plotë dhe të shpejtë të Kosovës në organizatën kryesore të kontinentit për të drejtat e njeriut, me të cilën ndan vlera të përbashkëta./Front Online