
Qytetarë të shumtë janë mbledhur sot në sallën e sportit në Mitrovicën e Veriut.
Kjo pasi, nga sot ata mund të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryetarët shqiptar.
Mbledhja e nënshkrimeve ka filluar të mërkurën nga ora 09:00.
Nëse KQZ-ja e konfirmon rezultatin e peticionit, kjo do t’i hap rrugë shkarkimi të kryetarëve aktual.
E për të qenë i suksesshëm ky peticion, nga 18 mijë e 199 që është numri i votuesve të regjistruar në Mitrovicën e Veriut, 3 mijë e 640 nënshkrime nevojiten.
Ndërsa, në Leposaviq nga 13 mijë e 441 votues që janë të regjistruar, 2 mijë e 689 nënshkrime mjaftojnë, apo 20% e votuesve në Komunë.
Nga 6 mijë e 732 numri i votuesve që është, nevojitën 1 mijë e 347 nenshkrime për Zubin Potok.
Në Zveçan nevojitën 1 mijë e 411 nënshkrime nga 7 mijë e 52 numri i votuesve që është i regjistruar.
Në qoftë se arrihet numri i nënshkrimeve për peticion ,këto janë rregullat që duhet t’i ndjekin institucionet.
Çka thotë Udhëzimi Administrativ, si mund të largohen kryetarët e Komunës?
Udhëzimi administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës i sqaron në detaje procedurat.
Neni 6 i tij thotë se grupi nismëtar, që i bie qytetarët serbë, brenda tridhjetë (30) ditëve nga pajisja me dokumentacionin e nevojshëm, duhet të mbledhë numrin e kërkuar të nënshkrimeve.
Pas kësaj procedure, grupi nismëtar ia dorëzon nënshkrimet kryesuesit të Kuvendit komunal, teksa ky i fundit e dërgon pastaj brenda tri dite në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
KQZ nëse konstaton se nëse nuk plotësohet numri minimal prej 20 % votuesve i jep grupit nismëtar afat shtesë që t`i plotësojë nëshkrimet. Nëse pas afatit prej 10 ditësh nuk përmbushet kërkesa, KQZ e shpall peticionin të pavlefshëm dhe e njofton kryesuesin e kuvendit komunal, kryetarin e komunës, grupin nismëtar dhe MAPL-në. Nëse peticioni përmbush kriteret, pra mbështetet nga së paku njëzet përqind (20%) e votuesve ndodh ky skenar.
Me t`u konfirmuar të gjitha këto kritere, neni 7 thotë atëherë se organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.
Votimi për këtë çështje duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit.
Nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet i larguar.
Tek pastaj rezultati i shkon presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila brenda 30 deri 45 ditësh duhet t`i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Baraliu tregon hapat për t’u pranuar peticioni
Ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu thotë se për t’i shmangur sanksionet nga ndërkombëtarët Beogradi po merr këso hapa.
Ai për Front Online tregon se cilat janë hapat për t’u pranuar peticioni.
“Është 20% dispozita e Ligjit për qeverisje lokale 20% i trupit elektoral duhet të behët nga ai peticion. Sot dolën në mënyrë klasike dhe treguan që duan ta largojnë kryetarin aktual. Është më ligj është e paraparë dhe udhëzimi administrativ”, tha Baraliu.
Edhe në Zubin Potok e Zveçan qytetarët serb do të veprojnë njëjtë, thotë Baraliu.
“Qytetarët serb edhe në komunat tjera do të veprojnë njëjtë, ata duan të shpëtojnë prapë me një taktikë të tyre nga ndërkombëtarët”, theksoi ai.
Arifi: Serbët e kanë kuptuar gabimin
Njohësi i politikës, Dritëro Arifi po thotë se serbët i kanë rënë pishman që kanë dhënë dorëheqje nga institucionet, prandaj po ndodh peticioni i sotshëm.
“Interesimi i serbëve tregon që ata e kanë kuptuar gabimin që janë larguar nga institucionet por tash loja ka ndryshuar. Nëse nuk ka marrëveshje politike brenda këtij viti, serbët prap do t’i fitojnë komunat. Edhe komunat tjera do ta bëjnë të njëjtën gjë se serbët e kanë kuptuar që humbja e pushtetit dhemb shumë”, deklaroi Arifi.
Zgjedhjet në Veri u mbajtën më 23 prill 2023, ndërsa rezultatet u certifikuan më 28 prill, kështu 28 maji i vitit të kaluar u vendos si afati i fundit për ta dhënë betimin. Qytetarët serbë i ka bojkotuar ato zgjedhje. Hyrja e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale më 26 maj ka shkaktuar tensione të mëdha në këtë zonë./Front Online/