
Lidhur me këtë për Front Online ka folur deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Ai, ka thënë se pret që në seancat e tjera kjo rezolutë të vihet përsëri në rend të ditës dhe të votohet.
Kjo, për shkak që siç thotë deputeti është kërkesë e konsumatorëve që çmimi i energjisë të ulet.
“E, mira është që rezoluta të miratohet, është e nevojshme, është e arsyetuar, është kërkesë e konsumatorëve të cilët po paguajnë shtrenjtë energjinë elektrike këto muaj dimri duke iu nënshtruar inflacionit të lartë dhe gjendjes së rëndë ekonomike por megjithatë është në dorën e shumicës parlamentare se në fund të fundit kjo është demokracia edhe pse nganjëherë në dëm të qytetarëve”, është shprehur Shala për Front Online.
Por, çka nëse rezoluta nuk kalon dhe cilët do të jenë hapat tjerë të kësaj partie?
Deputeti Ferat Shala, thotë se do të shikojnë hapat tjerë institucional e juridik, por se tani për tani nuk e din saktë se çfarë do të ndërmarrin.
“Nëse kjo rezolutë nuk kalon ne do të shohim hapa tjerë institucional, hapa të tjerë juridik hapa të tjerë në sensibilizimin dhe masivizimin e kërkesës qytetare për ndryshim të këtyre politikave që janë krejtësisht në disfavor të ekonomisë familjare dhe qytetarëve. Nuk mund të themi tash se çfarë do të bëjmë, por do të shfrytëzojmë çdo mekanizëm demokratik, legal për të kundërshtuar çdo shkelje jo vetëm këtë të energjisë por që është në dëm të ekonomisë, institucioneve të shtetit dhe në dëm të qytetarëve”, ka thënë ai.
I pyetur se si e ka parë kundërshtimin e pozitës karshi kësaj rezolute, Shala ka pohuar se shumica parlamentare po e mbron abuzimin me fatura te energjisë.
“Nuk e ka të lehtë shumica ta pranojë faktin e të del si me thënë krejtësisht transparente para krejt këtyre keqpërdorimeve por po shpresojmë që edhe debati i së enjtes e ka nxjerrë një pjesë të vërtetës së madhe dhe do të duhet të reflektonte Qeveria, por nëse nuk e bën këtë ne do të shohim hapa tjerë, por tashmë është e vërtetuar që abuzimi me çmimin e energjisë po vazhdon”, ka shtuar Shala.