Talat Xhaferi është deklaruar për herë të parë pas marrjes së mandatit për të shërbyer si kryeministër i një qeverie teknike në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka thënë se mbetet përgjegjës para qytetarëve dhe atyre që kanë vendosur për të ardhmen e vendit.
“Këtë detyrë, besim, nder dhe mbi të gjitha përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme, e kuptoj dhe do i qasem ashtu siç kam vepruar në çdo etapë dhe në çdo sfidë që është shfaqur para meje në jetën profesionale dhe personale. Dëshiroj t’ju siguroj se në asnjë çast nuk do të lejoj të devijojmë nga ajo që do të thotë institucion funksional dhe i besueshëm për qytetarët dhe institucion me kompetenca qartë të përkufizuara me Kushtetutë në raport me shtyllat tjera të pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Xhaferi.
Me 65 vota PËR, kundër 3 dhe 0 të përmbajtur, Talat Xhaferi është kryeministër i vendit.