
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, mesazhet kërcënuese të Serbisë ndaj Policisë së Kosovës nuk i konsideron shqetësuese deri sa ato siç thotë Elshani nuk veprohen në praktikë.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet pasi në Mitrovicë të Veriut, persona ende të panjohur, kanë shpërndarë fletushka të ndryshme që bëjnë “thirrje për rezistencë” dhe “nxitje të urrejtjes”.
Lidhur me këtë, Elshani ka thënë se nuk ka ndonjë të arrestuar apo të dyshimtë.
Megjithatë, ai thekson se këto zhvillime po i marrin me seriozitet.
Elshani ka thënë se lidhur me rastin janë njoftuar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Prokuroria Speciale dhe KFOR-i.
Ai potencon se nuk ka ndryshime në terren.
“Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe Prokuroria Speciale, komunikimi dhe bashkëpunimi është i mirë. E kanë marrë vesh edhe nga mediat, janë të njoftuar KFOR-i. Ne i kemi parë disa reagime nëpër media, ndryshim në terren nuk ka”, shtoi Elshani për Dukagjini.
Ndryshe, partia kryesore e serbëve në Kosovë ka thënë se me veprime të tilla, po tentohet të fajësohen serbët “për incidente të reja të mundshme”.
Fletushkat, që janë nënshkruar nga “Mbrojtja Popullore”, të cilat janë shpërndarë në kanale të ndryshme në Telegram, përmbajnë udhëzime të supozuara për rezistencë ndaj policisë së Kosovës.
Në këto fletushka, thuhet se policia e Kosovës duhet të qëllohet me ndonjë mjet, të pështyhen pjesëtarët policorë e të ofendohen. Pastaj, të thyhen makinat policore me ndonjë mjet si dhe jepen instruksione si të bëhen koktej molotovi dhe të ngjashme.