Liberalizimi i vizave/ Afër 100 mijë qytetarë aplikuan për t’u pajisur me pasaportë nga 1 Janari

08:33 | 15 Shkurt 2024
liberalizimi-i-vizave/-afer-100-mije-qytetare-aplikuan-per-t’u-pajisur-me-pasaporte-nga-1-janari

Nga 1 Janari i këtij viti, kosovarët gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza nëpër vendet e zonës Schengen, të përbërë prej 27 vendesh evropiane.

Udhëtimet pa viza do të shërbejnë kryesisht për vizita turistike apo familjare dhe jo për qëllime punësimi, shkruan Front Online.

E, nga kjo datë jo vetëm aeroporti “Adem Jashari” dhe stacionet e autobusëve janë mbushur plot me qytetarë.

Me fluks të mash të qytetarëve po përballen edhe disa sportele nëpër komunat e vendit, përkatësisht Qendrat e Regjistrimit Civil.

Kjo pasi që aplikimet për t’u pajisur me pasaportë janë shtuar mjaftë shumë.

 

Mbi 52 mijë aplikime më shumë për pasaporta në Janar të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar

 

Numri i qytetarëve që kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaportë nga 1 Janari e deri më 12 Shkurt të këtij viti ka arritur rreth 100 mijë.

Këto të dhëna janë bërë të ditura për Front Online nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Aplikime për pasaporta prej 01.01.2024 deri më 12.02.2024 janë 96077”, ka treguar për Front Online zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi.

Por, vetëm pak më shumë se gjysma e tyre kanë marrë pasaportën.

“Për periudhën 01.01.2024 deri më 12.02.2024 janë pajisë me pasaportë gjithsej 52674 qytetarë”, ka thënë më tutje Fetoshi.

Ndërsa, nëse krahasohen shifrat e aplikimeve me janarin e vitit të kaluar atëherë dallimi është shumë i madh.

Janë mbi 52 mijë aplikime më shumë në janarin e vitit 2024 nëse krahasohet me janarin e vitit 2023.

“Gjatë muajit janar 2023 kanë qenë gjithsej 18427 aplikime për pasaporta, kurse gjatë muajit janar 2024 kanë qenë gjithsej 71096 aplikime për pasaporta”, është shprehur Fetoshi.

 

 

 

 

Sa po presin qytetarët për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës? Flasin nga MPB-ja

 

Qytetarë të shumë janë ankuar që pas aplikimit për pasaportë për t’u pajisur me të po shkon më shumë se një muaj.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme po thonë që kjo nuk qëndron, dhe se qytetari për t’u pajisur me këtë dokument nuk pret një muaj.

“Siç edhe jeni në dijeni ( ku tregojnë lart edhe statistikat) ka rritje të numrit të aplikimeve për pasaporta mirëpo pritja e qytetarëve për tu pajisur me pasaportë nuk e kalon një muaj”, ka shtuar zëdhënësja e MPB-së, për Front Online.

Qytetarët po ashtu janë ankuar se edhe mesazhi që iu dërgohet për t’i njoftuar që pasaporta është gati nuk po iu dërgohet më.

Por, ky pretendim i qytetarëve po hidhet poshtë nga MPB-ja.

“Nuk qëndron kjo. Në momentin kur qytetarit i bëhet gati pasaporta, ajo pastaj dërgohet në Qendrën e Regjistrimit Civil aty ku qytetari ka aplikuar, dhe në të njëjtën kohë i dërgohet edhe mesazhi për njoftim që pasaporta është gati dhe mund të tërhiqet pranë Qendrës ku ka aplikuar qytetari”, është shprehur Fetoshi për Front Online.

Ditë më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë njoftuar se që nga hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave e deri më tani çdo gjë është duke shkuar në suaza normale dhe nuk janë raportuar raste të mosrespektimit të rregullave.

Kushtet për liberalizim të vizave përfshijnë reforma për ta përforcuar sundimin e ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, menaxhimin e migrimit dhe përmirësimin e kapaciteteve administrative në kontroll të kufijve.

Në rast të rritjes së migrimit ilegal nga ndonjë vend, BE-ja ka të drejtë ta suspendojë përkohësisht regjimin e udhëtimit pa viza.

Ky mekanizëm, që u iniciua në vitin 2013, aktivizohet nëse ka rritje për mbi 50 për qind të hyrjeve ilegale nga një vend dhe qëndrimit ilegal, nëse ka rritje për mbi 50 për qind të aplikimeve për azil, nëse ka rënie të bashkëpunimit për kthim të detyrueshëm dhe nëse vlerësohet se ka rrezik të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së./Front Online/

Komento: