
Miniera “Trepça” është bërë me menaxhment të ri.
Atij të vjetrit i është dashur të jap dorëheqje për shkak të pakënaqësive të minatorëve që kishin.
Por, edhe këtë menaxhment e presin kërkesat e minatorëve për përmirësimin e kushteve të tyre.
Kryesindikalisti Ibrahim Jonuzaj tha për Front Online se në Trepçë është është gjendje e rëndë.
“Realisht pas grevës së 24 Tetorit të vitit 2023 pas kërkesave tona, kanë filluar me u realizuar kërkesat tona. Mirëpo kjo gjendje nuk ndryshohet, është gjendje e rëndë e minierës së Trepçës për shkak që nuk janë marrë masat e mëhershme dhe ka ardh deri në këtë përkeqësim të situatës brenda për brenda minierës”, deklaroi ai për Front Online.
Ai thotë se deri më tani nuk kanë folur me menaxhmentin e ri.
“Ky menaxhment vetëm sa ka filluar nuk kemi pas kontakte me bisedu për problemet që i kemi, tani jemi në organizimin e javës së minatorëve, jemi duke u marr me këtë organizim ndërsa sa i përket pjesës së punës, menaxhmenti vetëm sa ka filluar, po bëhet java e dytë që ka filluar punën dhe nuk kemi mundur me u ulë e me bisedu më gjerësisht për kërkesat tona, për kushtet tona”, ka thënë ai.
Jonuzaj thotë se do ta bëjnë këtë shumë shpejt.
Ai thotë që minatorët presin që të gjejnë bashkëpunim me menaxhmentin e ri.
“Kemi me u taku me menaxhmentin shumë shpejt, pas javës së minatorëve, pas organizimit të javës së minatorëve do të ulemi dhe ne si sindikatë do t’i paraqesim kërkesat tona te menaxhmenti i ri dhe po presim që me gjet një gjuhë të përbashkët”, ka thënë ai për Front Online.
Minatorët grevën e fundit e patën më 24 tetor të vitit të kaluar.
Kjo erdhi për shkak të se minatorët i morën pagat mujore në dy pjesë të ndara.
Ndryshe, pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale.
Minatorët nuk kanë sigurime shëndetësore, as jetësore dhe vazhdimisht kanë kërkuar t’i kenë të njëjtat./Front Online/
