Kurti në hapjen e Kampionatit Shtetëror të Esports: Mundësi e mirë për të treguar talentin

17:03 | 14 Prill 2024
kurti-ne-hapjen-e-kampionatit-shteteror-te-esports:-mundesi-e-mire-per-te-treguar-talentin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në hapjen solemne të Kampionatit Shtetëror të Esports.

Pasi i uroi organizatorët për këtë garë, ai tha se Federata për herë të parë ka mbështetje financiare serioze nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan Zeri.info.

“Me ligjin e ri për sportin, i cili është në procedura parlamentare dhe ka kaluar në lexim të parë tashmë, kemi krijuar bazën ligjore që mundëson zhvillimin e esports në Kosovë. Jemi ndër shtetet e pakta në rajon dhe në tërë Evropën, që po ndërtojmë politika shtetërore të cilat mundësojnë zhvillimin e lojërave elektronike”, u shpreh ai.

Sipas tij kjo është një mundësi e mirë për të treguar talentin dhe inovacionin e sportit në arenën ndërkombëtare.

“Për Kosovën, kjo është mundësi për të treguar talentin dhe inovacionin edhe në arenën ndërkombëtare. Bashkimi i këtyre dy sektorëve sjell potencial më të madh për zhvillim, edhe që duhet të promovohet me kujdes të shtuar nga të gjithë ne në të ardhmen”, theksoi Kurti.

Më tej, kryeministri Kurti shtoi se “Organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare në Kosovë, është një prej politikave të cilën Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka prioritizuar. Andaj, synojmë që së bashku me Federatën dhe komunitetin e lojërave elektronike të sjellim në Kosovë gara dhe turnire të Esports, që mbahen tek ne, sa më shpesh, sa më shumë, ashtu që Kosova të bëhet epiqendra e këtij organizimi përveçse në rajon, edhe më gjerë në Evropë e në botë”.

Komento: