
Problemi me qentë endacak vazhdon të shqetësojë banorët e kryeqytetit.
Me qëllim që të ulë rrezikun nga qentë endacak, Komuna e Prishtinës muaj më parë ka ndërmarrë një nismë për adoptimin e këtyre qenve nga qytetarët përmes subvencionimit.
Për çdo qen të adoptuar qytetarët janë subvencionuar me nga 50 euro.
Deri tani nga ky proces janë adoptuar 68 qen.
Kështu kanë treguar për “Front Online”, nga Drejtoria për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës.
“Deri më tani i kemi 68 qen të adoptuar. Me 1 e 2 qen të adoptuar i kemi 8 persona, kurse më tepër se 2 qen, i kemi 5 persona. Kemi kërkesa në shqyrtim për plotësim të kushteve”, kanë theksuar nga komuna.
E për këtë vit Komuna e Prishtinës ka planifikuar 150,000 euro për t’i subvencionuar adoptuesit e qenve, kurse ky buxhet, sipas tyre, do të shpenzohet varësisht nga numri i qenve që do të adoptohen.
Jo të gjithë i plotësojnë kushtet për adoptim të qenve, ja çfarë kërkesa po vijnë nga qytetarët në Prishtinë
Komuna e Prishtinës ka komision të veçantë për trajtimin e kërkesave për adoptimin e qenve endacak nga ana e qytetarëve.
“Ne si komunë kemi komision të veçantë për trajtimin e kërkesave për adoptim. Kërkesa kemi në vazhdimësi por jo të gjithë i plotësojnë kushtet, ngase kemi kërkesa për adoptim deri në dhjetë qen endacak”, thanë tutje nga komuna e Prishtinës për Front Online.
Gjithashtu, brenda këtij procesi është përcaktuar edhe komision mbikëqyrës, pas marrjes së qenve, duke përfshirë edhe vizitat në terren.
“Komisioni i caktuar për mbikëqyrjen dhe zbatimin e vendimit për subvencion vazhdimisht është në kontakt me adoptuesit dhe bën vizita në terren për mbikëqyrjen dhe kujdesin ndaj qenve të adoptuar”.
Vendimi për subvencionim për adoptim të qenve në Prishtinë nuk i përjashton qytetarët e komunave tjera
Komuna e Prishtinës ka treguar se me vendimin për subvencion e qenve e po ashtu edhe me Udhëzim Administrativ nuk është i kufizuar vendi prej nga vijnë qytetarët që duan të adoptojnë qen.
“Prandaj kemi kërkesa edhe jashtë Komunës së Prishtinës dhe kemi qen të adoptuar, por të gjithë së pari trajtohen me vaksinim, kastrim/sterilizim, mandej adoptohen tek palët e interesuar dhe që plotësojnë kushtet”, kanë treguar nga Drejtoria për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës.
Sipas tyre numri i qenve është vështirë të dihet.
“Siç e shohim nga terreni dhe nga procesi i trajtimit në vazhdimësi ka qen që vijnë, e që edhe prejardhja e tyre është vështirë të dihet. Në shumë raste gjejmë qenushe me klysh që i lëshojnë, mandej kemi braktisje të qenve me pronar e forma tjera. Por ajo që dijmë dhe kemi shënime që janë trajtuar nga viti 2022 deri më tani mbi 3400 qenë endacak. Prandaj kjo është shqetësuese për Komunën e Prishtinës dhe vazhdimisht kemi kërkuar nga niveli qendror, ministritë përkatëse, me qëllim që ky problem të trajtohet në nivel vendi dhe të ndalen prurjet nga vende tjera e po ashtu mos të ketë braktisje të qenve me pronar”, kanë theksuar nga komuna.