Deputeti i VV-së: Kosova vendi më demokratik në Ballkan

18:03 | 03 Maj 2024
deputeti-i-vv-se:-kosova-vendi-me-demokratik-ne-ballkan

Deputeti i VV-së, Fitim Haziri njëherit anëtar tek Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, thotë për FrontOnline se raporti i fundit i publikuar nga ‘’Reporterët pa Kufij’’ flet për rastin e Klan Kosovës dhe për disa gazetarë tek rasti i Banjskës, dhe se nuk ka qenë sulm direkt ndaj lirisë së mediave.

‘’Nëse e lexojmë dhe e shohim raportin, e vëren se aty ai flet për rastin e Klan Kosovës dhe për disa gazetarë tek konflikti në Mitrovicën e Veriut. Nëse flasim në aspektin e Klan Kosovës, nuk ka qenë direkt sulm ndaj mediave, ndaj lirisë, por ka qenë për shkak të mosrespektimit të Kushtetutës, ku një medium ka pranuar të regjistroj biznesin e tyre në Serbi, në emër të qytetit që i referohet toponimeve serbe Pejë-Peç’’ thotë ai.

Deputeti Haziri potencon se më e rëndësishme është respektimi i ligjit të Kosovës se sa çfarë mund të thonë raportet si ky i Reporterëve Pa Kufij.

‘’Më e rëndësishme është të respektohen ligjet e Kosovës se sa të tjerat. Ne Klan Kosovën nuk e kemi ndaluar as nuk e kemi marrë licencën, nuk ka pasur këtu ndërhyrje tek liria e medias, tek liria e shprehjes’’ thekson ai.

Ai më tej thotë se Kosova është vendi më demokratik në Ballkan.

‘’Sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare, është vendim më demokratik, jemi vendi i parë në Ballkan e kështu nuk po e di ky raporti i fundit qysh e kanë trajtu rastin e Klanit’’ shton deputeti Haziri për FrontOnline.

Komento: