Çarmatosen gardianët, armët u jepen Policisë

08:03 | 15 Maj 2024
carmatosen-gardianet,-armet-u-jepen-policise

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka vendosur që t’i merren armët e gardianëve që punojnë në institucionet e tipit të hapur dhe gjysmë të hapur, pasi që, siç thonë ata, është vlerësuar se rreziku në këto institucione nuk është i lartë, raporton FrontOnline.

Portali “FrontOnline” ka mësuar nga burimet e saj se këto armë tashmë u janë dhënë kadetëve policor.

‘’Ju njoftojmë se Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë në Institucionet Korrektuese ka vendosu t’i pajisë me armë zyrtarët korrektues të cilët janë duke punuar në Institucionet e tipit të mbyllur siç janë: Burgu i Sigurisë së Lartë, Qendrat e Paraburgimit  dhe Qendra Korektuese në Dubravë ku niveli i sigurisë duhet të jetë i lartë’’, ka thënë për Front Online zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.

Në anën tjetër, Gashi tregon se kujt i është marrë autorizimi për bartje të armëve.

‘’Duke marr parasysh se Institucionet e tipit të hapur dhe gjysmë të hapur niveli i rrezikut nuk është i lartë, është vlerësuar e nevojshme që zyrtarëve të këtyre Institucioneve t’ju merret përkohësisht autorizimi për bartjen e armës’’ thekson ai.

Gashi thotë se vendimin drejtori i përgjithshëm i SHKK-së e ka marrë duke u bazuar në rregullën e brendshme për pajisje dhe përdorim të armëve.

‘’Për informimin tuaj Drejtori i Përgjithshëm ka rishikuar rregullën e brendshme për pajisje dhe përdorimin e armëve zyrtare dhe sipas prioriteteve do të bëjë aprovimin e bartjes së armës zyrtare për personelin e Shërbimit Korrektues’’, deklaron Gashi.

 

 

Deputeti Dugolli për marrjen e armëve të gardianëve të burgut: Nuk jam në dijeni, do të interesohem ditëve në vijim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, njëherit nënkryetar i parë në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrotjes, thotë për FrontOnline se nuk është në dijeni për procedurën e armë-mbajtjes për zyrtarët e SHKK-së.

‘’Tash po dëgjoj nga ju. Sa i përket procedura për armë-mbajtje për zyrtarët e SHKK-së, në ditët vijim do të interesohem se çka është në pyetje’’ deklaron ai.

Deputeti Dugolli, thotë se si komision nuk pëlqejnë të merren me çështjet që kanë të bëjnë me ekzekutivin dhe se beson se organet si SHKK-ja e zbatojnë ligjin.

‘’Ne si komision nuk pëlqejmë të merremi me çështjet që kanë të bëjnë me ekzekutivin dhe ata do të duhej dhe besoj se i përmbahen zbatimit të ligjit për armë-mbajtje’’ potencon ai.

 

 

Basha për çarmatosjen e gardianëve: Nuk kam ndonjë informacion

Deputeti i VV-së, Dimal Basha, njëherit anëtar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrotjes, për FrontOnline ka thënë shkurt se nuk ka ndonjë informacion për këtë çështje.

‘’Nuk kam ndonjë informacion’’, deklaroj Basha.

Ai tha se një gjë e tillë po ashtu nuk është diskutuar akoma në Komisionin për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes

‘’Nuk është diskutuar diçka e tillë në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje’’ tha shkurt Deputeti Basha për FrontOnline.

 

 

Berisha: Nuk është prezantuar asnjë vendim që rekomandon çarmatosjen e personelit të burgjeve

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, njëherit anëtar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrotjes, thotë se nuk është prezantuar ndonjë vendim që rekomandon çarmatosjen e personelit të institucioneve të sistemit të mbyllur.

‘’Të paktën zyrtarisht nuk është prezantua asnjë vendim i tillë apo ndryshim i bazës ligjore, që rekomandon armatosjen e këtij personeli. As drejtori e askush nuk mundet me marrë vendime autoritare. Së pari duhet parë cila është baza ligjore, a ka reformim të ligjit dhe pastaj të vendoset diçka e tillë’’, deklaron ai.

Berisha thotë se për të marr një vendim, duhet ndryshoj baza ligjore dhe që sipas tij ka procedura për këtë.

‘’Burgjet janë të kategorive të lartë, burgjet e sigurisë me të lartë normal që duhet kenë pajisje më adekuate. Së pari duhet ndryshohet baza ligjore për të marr vendime tjera. Ju e dini ka pasur fenomen të ndryshme për ato burgje’’thekson ai.

Deputeti Berisha thotë se nëse një vendim i marr nga Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani nuk ka qenë i bazuar në ligj apo dokument zyrtar, do të shqyrtohet ai vendim.

‘’Duhet të ketë procedura ndryshimi e jo të merren vendime në kokë në vete. Nëse nuk është i bazuar në ligj, në një dokument zyrtar, atëherë është vendim i ngutshëm i cili do të shqyrtohet’’ përfundon Berisha.

 

 

Quni për marrjen e armëve të gardianëve të burgut nga Policia: Nuk jam në dijeni për këtë gjë

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, njëherit anëtar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrotjes, thotë se nuk është në dijeni nëse ka vendim që rekomandon armatosjen e personelit të institucioneve të sistemit të mbyllur.

‘’Nuk jam në dijeni për këtë temë’’, tha deputeti Quni shkurt për FrontOnline.

I pyetur nëse një gjë e tillë është diskutuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrotjes , ku bën pjesë ai,  deputeti Quni shkurt është përgjigjur se nuk e kanë diskutuar.

‘’Jo’’ tha shumë shkurt Quni për FrontOnline.

 

 

Sadikaj nga SSHKK-ja: Po më pyesin çka bëjmë nëse na marrin armët?!

Nga Sindikata e Shërbimit Korrektues thonë për FrontOnline se e shohin problem nëse pas një vendimi të një klasifikimi të tillë, do të paguhet rrezikshmëria ose jo.

‘’Ai është vendimmarrës. Nëse e kanë paraparë ata qashtu, ne jemi sindikatë nuk ndikojmë ne. Problemi është se nëse bëhet klasifikimi për rrezikshmëri, ata mbesin pa u paguar, qashtu ata po thonë. Ata mundën mos me u pagu për rrezikshmëri’ ’thotë Zenun Sadikaj.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrrektues, Zenun Sadikaj, thotë se po pyetet nga stafi se çka do të ndodh nëse ua marrin armët.

 

FrontOnline, i ka dërguar pyetje me 10 maj (e premte) 2024 tek zëdhënësi i Policisë i Kosovës, Baki Kelani, ku ka pyetur nëse armët e gardianëve i ka marrë Policia e Kosovës, por ai ka kërkuar që pyetja të dërgohet në e-mail  tek zyra për medie e Policisë së Kosovës. Megjithatë, Kelani për katër ditë nuk ka kthyer kurrfarë përgjigje.

 

Komento: