129 infermierë kërkuan licencën për të ikur nga Kosova

14:03 | 19 Maj 2024
129-infermiere-kerkuan-licencen-per-te-ikur-nga-kosova

Një numër i madh i infermierëve kanë kërkuar licencën e plastifikuar si kusht për t’u punësuar jashtë vendit, kryesisht në Gjermani.

Nga janari e deri më 15 maj numri i tyre ka shkuar në 129.

Ndërsa, 54 infermierë kanë kërkuar vërtetim të Kodit Etik.

Kështu ka bërë të ditur për Front Online kryetarja e Sindikatës së Infermierëve, Nexhmie Gori.

Gori ka përmendur sfidat me të cilat po përballën infermierët.

Ankesa më e shpeshtë e tyre është çështja e pagës, thotë Gori.

“Ndërrimet e natës, festat nuk paguhen, çështja e pagës diskriminim mes infermierëve dhe mjekëve, ngarkesë e madhe në punë, mos vlerësim i punës së infermierëve mos marrja pjesë në vendimmarrje, borde askund. Numri është 129”, deklaron Gori.

Ajo deklaroi se me kushtet me të cilat përballën infermierët, numri i të larguarëve pritet të shtohet.

“Fluksi do të rritët. Thirrje kam bërë që të bëjmë më të mirën e mundshme për ta, që të rinjtë tanë t’i mundësojnë një të ardhme më të mirë që të kontribuojnë në Kosovë”, përfundoi ajo.

Ministria e Shëndetësisë muaj më parë ka thënë për Front Online se është duke punuar që të krijojë kushte me të mira për stafin shëndetësor.

“Ministria e Shëndetësisë është duke vazhduar me investime në infrastrukturë e pajisje mjekësore, në mënyrë që profesionistët të mund të shfaqin gjithë potencialin e tyre. Edhe në buxhetin e këtij viti është paraparë sigurimi i aparaturave më qëllim të ngritjes së shërbimeve të reja’’, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

MSH thotë se do të ketë rritje të pagave edhe vitin e ardhshëm.

“Qeveria e Kosovës ka rritur pagat për profesionistët shëndetësorë dhe aktualisht paga e një mjeku në Kosovë është ndër më të lartat në rajon. Krahas zhvillimit ekonomik me progres pozitiv, rritja në koeficientin e pagës do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm’’.

 

 

Komento: