As deputetët e VV-së nuk e përkrahin shpërndarjen e Kuvendit

19:03 | 21 Maj 2024
te-enjten-seanca-e-radhes,-s’ka-kerkese-per-shperndarjen-e-kuvendit

Edhe brenda grupit më të madh parlamentar (Lëvizjes Vetëvendosje) ka deputetë që nuk e përkrahin iniciativën e shpërndarjes së parakohshme të Kuvendit. Sipas tyre, Qeveria po funksionon si duhet, prandaj duhet ta çojë mandatin deri në fund, përkatësisht deri në shkurt të vitit 2025, raporton Front Online.

Për shpërndarje të Kuvendit është partia më e madhe opozitare (PDK), kërkesë kjo që po kundërshtohet fuqishëm ndaj dy partitë tjera opozitare LDK dhe AAK. Këto të fundit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe më pas shpërndarjen e Kuvendit.

Deputeti i VV-së: Jemi në çdo moment gati për zgjedhje, por jo për shpërndarje të Kuvendit

Madje, edhe partia në pushtet nuk është pro kërkesës së PDK-së, ani pse janë të gatshëm për zgjedhje.

Kështu po thotë të paktën, deputeti i mazhorancës, Halil Thaçi.

“Nuk mendoj që është koha të shpërbëhet Kuvendi. Ne si Qeveri e Kuvend jemi duke i shtyrë proceset përpara,  nuk është koha për shpërbërje të Kuvendit. Jemi në çdo moment gati për zgjedhje, por jo për shpërbërje të Kuvendit. Zgjedhje duhet të shkojmë në afatin ligjor se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme”, deklaron Thaçi.

Deputetja e PDK-së: Të koordinohen liderët partiak për t’i siguruar votat për shpërbërje të Kuvendit

PDK-ja ka kërkuar koordinim mes liderëve partiak opozitar për t’i siguruar votat e nevojshme për shpërbërje të Kuvendit.

Deputetja e kësaj partie, Ariana Musliu-Shoshi, deklaron se këtë kërkesë PDK e ka që më shumë se një vit.

“Si PDK për më shumë se një vit kemi qëndrim jemi për shpërndarjen e Kuvendit. Tani ne jemi në një fazë ku votat nuk janë të mjaftueshme vetëm nga ne si deputet të PDK-së, por duhet edhe një koordinim më i gjerë i partive opozitare dhe jo vetëm. Duhet koordinim i liderëve partiak dhe pastaj do të vendoset se si do të procedojmë”, u shpreh Musliu-Shoshi.

Muhaxheri i LDK: Kurti është lodhur dhe dorëzuar, të dorëhiqet

 Qëndrimi i Lidhjes Demokratike, ndryshe nga ai i PDK-së.

Nënkryetari për Organizim Partiak, Gazmend Muhaxheri nga radhët e LDK-së, thotë se s’është në radhë shpërbërja e Kuvendit.

Ai ka një porosi për kryeministrin aktual.

Ne jo, konsiderojmë që duhet të jap dorëheqje kryeministri. Ai është lodhë dhe është dorëzuar. Të jap dorëheqje. Kuvendi mundet të qëndrojë deri në fund të mandatit se 120 deputetë janë. Nuk arsyetohet humbja dhe dorëzimi me kërkesën për shpërndarjen e Kuvendit”, tha Muhaxheri.

Syla: AAK-ja nuk do jetë prezentë në një seancë për shpërbërjen e Kuvendit, Kurti të dorëhiqet

Gazmend Syla nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaron se kjo parti nuk është pro shpërbërjes së Kuvendit.

Ai thotë se nëse thirret një seancë e tillë, AAK nuk do jetë prezente.

“Kryeministri Kurti të jap dorëheqje e pastaj mundet me u shpërbë Kuvendi. Nuk duam për shkak të shpërbërjes së Kuvendit me shku në zgjedhje. Kurti për krejt dëmet që i ka bo vendit po dëshiron me i kamuflu me shpërbërje të Kuvendit. Nëse dy partitë e kanë mundësinë me shpërbërë Kuvendin, neve nuk na mbetet tjetër përveç të bëhemi gati për zgjedhje, por nuk marrim pjesë në një seancë të tillë”, thotë Syla.

Javën e kaluar, kryeministri Kurti zhvilloi një takim me Memli Krasniqin, kryetarin e PDK-së, me të cilin bisedoi për zgjedhjet e reja. Pas takimit, Kurti tha zgjedhjet do të ishte mirë që të mbaheshin në pranverë, ose në vjeshtën e këtij viti. Dy partitë e tjera opozitare, LDK dhe AAK, nuk pranuan të takohen me Kurtin për këtë çështje.

 

 

 

 

Komento: