
Eksperti i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg, Konrad Clewing, ka treguar për gabimet që bëri Kosova, të cilat i kushtuan me mos anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Në një intervistë për Deutesche Welle, Clewing thotë se Kosova bëri shumë gabime. “Përgjegjësia kryesore për mungesën e përgatitjes së një plani për Asociacionin e Komunave dhe për prezantimin e dobët të qëndrimeve te partnerët është e qeverisë”.
Konrad Clewing: Kosova bëri shumë gabime. Së pari, u mbështet në faktin se partnerët perëndimorë të Kosovës, duke parë politikën serbe, do të hapnin rrugën për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Gabimisht mendoi se tri fuqitë e mëdha të BE-së do të ndihmonin në minutën e fundit.
Së dyti, qeveria e tanishme dhe ato të mëparshme nuk zhvilluan një plan për Asociacionin e Komunave pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Të mendosh se kjo çështje do të zgjidhet vetvetiu është naive dhe një gabim i madh politik. Kjo u dha hapësirë aktorëve perëndimorë – nga Lajçak deri te liderët në Berlin, Paris dhe Romë – për të ndërhyrë. Parakushti për të paraqitur planin e Lajçak pa negociata të mëtejshme me dhe në Kosovë në Gjykatën Kushtetuese ishte një ndërhyrje që meriton kritikë. Letra e tre liderëve drejtuar Kurtit më 15 maj ishte gjithashtu shumë e ashpër. Megjithatë: Nëse qeveria do të kishte vepruar më herët, kjo mund të ishte shmangur.