Dështon iniciativa e VV-së dhe PDK-së për zgjedhje në pranverë, vjeshta mbetet opsion

19:56 | 28 Maj 2024
deshton-iniciativa-e-vv-se-dhe-pdk-se-per-zgjedhje-ne-pranvere,-vjeshta-mbetet-opsion

As ftesa për darka nga kreu i VV-së, Albin Kurti e as ftesat e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi,  nuk po kryejnë punë për dy partitë opozitare, LDK-në e AAK-në. Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë, kur dihet përfundimisht nëse ka ose jo zgjedhje të parakohshme.  Të gjithë duan zgjedhje, por gatishmëri për të shkuar në to nuk kanë, të paktën zyrtarisht një gjë e tillë po duket e pamundur. Deri tash ka pasur propozim të datave, ka pasur propozim të formave për të shkuar në zgjedhje, por s’ka pasur unifikim për të shkuar në zgjedhje, shkruan FrontOnline.

Partitë politike që janë pjesëmarrëse në Kuvend, janë ndarë në dy taborë, dy që duan shkuarjen në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit dhe dy të tjera që kërkojnë dorëheqje ose shkarkim të Qeverisë aktuale.

Dy parti mund t’i bësh bashkë me qëndrim të njëjtë, por jo tri ose katërta e pa u bërë shumica, nuk mund të ketë as shpërbërje e as votim të formës së rrëzimit të Qeverisë përmes mocionit, derisa dorëheqja e kryeministrit Albin Kurtit, duket e pamundur.

 

Nga VV i ‘’bien’’ çekanit: E konsiderojmë të dështuar iniciativën për shpërbërjen e Kuvendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, për FrontOnline e konsideron të dështuar shkuarjen në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit, iniciativë kjo e PDK-së, partisë me të madhe opozitare.

‘’Konsideroj që hapja e temës së zgjedhjeve të parakohshme është rezultat i sondazheve të cilat partitë politike i bëjnë në suaza periodike. Nëse PDK thotë që këtë të enjte është data e fundit për ta, atëherë sigurisht se mund ta konsiderojmë të dështuar, sepse dy partitë tjera opozitare LDK dhe AAK nuk janë dakord me këtë kërkesë të PDK-së’’ deklaron ai.

Deputeti Haliti, thotë se Qeveria Kurti është duke vazhduar punën e saj pa ndonjë pengesë dhe do ta çojë deri në fund mandatin e saj.

‘’Qeveria Kurti është duke vazhduar punën pa ndonjë pengesë dhe sigurisht që mandatin do ta vazhdojë deri në zgjidhje’’ thotë ai.

Haliti, deklaron se zgjedhjet do të mbahen, por në vjeshtën e këtij viti.

‘’Zgjedhjet do të mbahet patjetër sepse jemi në vitin e fundit të kësaj qeverie, dhe nëse do të ketë gatishmëri nga të gjitha partitë parlamentare mund të shkojmë në vjeshtën e këtij viti, nëse jo atëherë afati i fundit është pranvera e vitit 2025. Presidentja e ka obligim ligjorë dhe kushtetues që ti ftojë në konsultim të gjitha partitë dhe të caktojë datën e zgjedhjeve’’ shton ai.

Ai potencon se subjekti i tij politik, LVV nuk ka arsye që të marr iniciativë për të shkuar në zgjedhje.

‘’Lëvizja VETËVENDOSJE nuk ka asnjë arsye që të marrë iniciativën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme’’ thekson ai.

 

 

Nënkryetarja e PDK-së: Jemi për shpërndarje të Kuvendit, LDK dhe AAK nuk po tregojnë vullnet për këtë

Nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj, për FrontOnline thotë se pritshmëria dhe dëshira e tyre është që vendi të shkoj sa më pare në zgjedhje.

‘’Pritshmëritë dhe dëshira jonë është shpërbërja e Kuvendit dhe që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje sepse zgjedhjet janë, zgjidhja e vetme për situatën në të cilën gjendemi’’ deklaron Ahmetaj.

Dyshja e PDK-së, thotë se kryetari i PDK-së, ka takuar disa here krerët e partive opozitare, por që nuk ka gjetur vullnet nga ta për shpërndarje të Kuvendit.

‘’Kryetari Krasniqi disa herë ka takuar krerët e partive opozitare, i ka dërguar edhe letër që të mblidhen rreth qëllimit për të cilin jemi angazhuar, por deri tash nuk kemi pasur ndonjë vullnet të tyre për ta shpërndarë Kuvendin’’ thekson ajo.

E pyetur se përse nuk po e shpërndajnë Kuvendin vetëm me votat e VV-së, Ahmetaj thotë se nuk futën në agjendat e partive tjera politike dhe se nuk i komentojnë deklaratat e partive tjera.

‘’Ne nuk futemi në agjendën e partive të tjera dhe as nuk i komentojmë qëndrimet e tyre dhe ne kemi kontratë me qytetarin. Nuk futemi në komente rreth qëndrimeve dhe ambicieve të partive tjera’’ përfundon nënkryetarja Ahmetaj për FrontOnline.

‘’Mbesim me shpresë që mocioni për shkarkimin e qeverisë, do të përkrahet edhe nga partitë tjera. – Zgjedhjet e reja, pas rrëzimit të Kurtit, më së shumti i konvenojnë Kosovës’’, potencon ai.

 

 

LDK: Kurti është dorëzuar, veç dorëheqja e tij na dërgon në zgjedhje – Nuk ndryshojmë qëndrim

Nënkryetari i LDK-së për Organizim Paritak, Gazmend Muhaxheri, deklaron për FrontOnline se janë duke pritur dorëheqjen e Albin Kurtit e që më pas të shkohet në zgjedhje dhe se LDK nuk ka vote për shpërndarjen e Kuvendit.

‘’Vallahi ne po presim që Kurti me dhënë dorëheqje, për shpërndarje votën tonë se ka. Jo, jo qëndrimi ynë nuk ndryshon hiç’’ potencon ai.

Ai thotë se do të kërkojnë veç dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

‘’Veç dorëheqja e Albinit mundet me u kërkua edhe kështu mundemi me shku në zgjedhje’’ shprehet Muhaxhiri.

Nënkryetari i LDK-së, thotë se sipas gjitha gjasave PDK dhe VV, nuk i kanë votat për shpërndarje të Kuvendit.

 ‘’Sipas gjitha gjasave PDK e VV nuk i kanë numrat. Tash po kërkojnë aleatë e s’besojnë që kanë me gjete, veç dorëheqja mundet me na qu në zgjedhje, përndryshe kjo Qeveri e qon mandatin deri në fund’’

Ai deklaron se Kurti është dorëzuar, por që duhet edhe zyrtarisht me u dorëzu.

‘’Nuk e di atë punë, por me rëndësi që ky u dorëzu, defakto Albini është dorëzu, veç edhe dejure duhet’’ përfundon Muhaxheri.

 

 

Nga AAK: S’na intereson shpërndarja e Kuvendit, zgjedhjet të bëhen pas rrëzimit të Kurtit

Sekretari Organizativ i AAK-së, Gazmed Syla, për FrontOnline thotë se nuk intereson epilogu i iniciativës për shpërndarje të Kuvendit.

‘’Nuk na intereson epilogu i iniciativës për vet-shpërndarjen e Kuvendit, sepse ky veprim është amnisti për Kurtin. – AAK ka më shumë se një vit që ka iniciuar mocionin për shkarkimin e Kurtit’’ deklaron Syla.

Ai thotë se kanë pasur iniciativë për mocionin për rrëzimin e Qeverisë, por nuk kanëpasur përkrahjen e partive opozitare.

‘’Ne kemi marrë këtë iniciativ para dy muajve por nuk kemi marr përkrahjen prej kolegëve nga opozita’’, thotë ai për FrontOnline.

Sekretari Organizativ i AAK-së, thotë se mbesin me shpresë se do të përkrahet shkarkimi i Qeverisë përmes mocionit, derisa deklaron se zgjedhjet pas rrëzimit të Kurtit i konveojnë Kosovës.

‘’AAK ka më shumë se një vit që ka iniciuar mocionin për shkarkimin e Kurtit. Mbesim me shpresë që mocioni për shkarkimin e qeverisë, do të përkrahet edhe nga partitë tjera. Zgjedhjet e reja, pas rrëzimit të Kurtit, më së shumti i konvenojnë Kosovës’’ përfundon ai për FrontOnline.

 

Matoshi: Zgjedhjet nuk janë zgjidhje, Kurti është në zor të madh

Publicisti dhe analisti politik, Halil Matoshi, thotë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje dhe se kjo është përpjekje që kryeministri Albin Kurti me shpëtuar fytyrën e tij nga dështimet.

‘’Kosova është në një momentum kur zgjedhjet nuk japin zgjidhje. Kryeministri Kurti nën presion ndërkombëtar përpiqet të manovrojë për ta ruajtur fytyrën’’ , thekson ai.

Matoshi deklaron se Kurti është në zor të madh ‘’Ai është në zor të madh!’’

Tutje, sipas tij dëmi që ka shkaktuar Kurti, po prodhon tema si zgjedhjet për të mbuluar dështimin e tij.

 ‘’Dëmi është bërë (ftohje me aleatët dhe mosanëtarësimi në KiE) dhe pushteti i papërgjegjshëm prodhon tema si zgjedhjet e parakohshme, për të mbuluar dështimin epik në arenën Ndërkombëtare! Kosova duhet të dijë saktë e kujt është përgjegjësia!’’ përfundon Matoshi për FrontOnline.

 

 

Arifi: E palogjikshme shpërbërja e Kuvendit, opozitës i konvenojnë më shumë zgjedhjet më 2025

Analisti politik, Dritëro Arifi, për FrontOnline, thotë se mënyra për të shkuar në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit ka qenë e palogjikshme dhe e paarsyshme.

‘’Mënyra për të shkuar në zgjedhje përmes shpërndarjes ka qenë e palogjikshme, e paarsyeshme dhe jo mire e shpjegueshme, pra nuk e kemi kuptuar pse qenka urgjente të shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe këmbëngulja e VV dhe PDK që veç kështu të shkohet në zgjedhje është e pashpjegueshme’’ potencon ai.

Arifi, thotë se varet nga Kurti kur Kosova mund të shkoj në zgjedhje.

‘’A e dërgon Kurti mandatin e tij deri në fund, varet vetëm nga Kurti. Vetëm ai mundet me shkarkua Kuvendin duke dhënë dorëheqje. Përndryshe s’ka force politike që mund ta rrëzojë Kurtin’’ thekson analisti Arifi për FrontOnline.

Ai thotë se nëse zgjedhjet mbahen në vitin 2025, do i konvenonte më shumë opozitës, pasi që sipas tij premtimet e Kurtit duken të pamundura të realizohen gjatë këtij mandate.

‘’Pra zgjedhjet varen nga Kurti se kur dëshiron të shkojë në zgjedhje, natyrisht që në vitin 2025 do i konvenonte më shumë opozitës, sepse shumë projekte që Qeveria Kurti i ka premtuar dyshoj shumë se mund të i realizoj dhe sa më gjatë vazhdon kjo Qeveri, është më mire për opozitën’’ deklaron ai/FrontOnline/

 

 

Komento: