Reuters: Kosova po bëhet gati t’i strehojë 300 të burgosur nga Danimarka, po ngrihen shqetësime për të drejtat e njeriut

13:12 | 29 Maj 2024
reuters:-kosova-po-behet-gati-t’i-strehoje-300-te-burgosur-nga-danimarka,-po-ngrihen-shqetesime-per-te-drejtat-e-njeriut

300 të burgosur nga Danimarka pritet të vijnë në Kosovë, ku do të vendosen në Burgun e Gjilanit, pas një marrëveshjeje mes dy vendeve. E njëjta po vazhdon të komentohet në media të huaja, e madje edhe të kritikohet.

Siç raporton “Reuters”, planet janë që të burgosurit vendas do të largohen, dhe më pas do të vendosen ata të huaj që pritet të transportohen me avion nga Danimarka, shtet ky dy mijë kilometra larg nga Kosova.

Shërbimi i burgjeve të Kosovës do ta rinovojë Burgun e Gjilanit përgjatë dy viteve të ardhshme, sipas standardeve daneze, para se t’i pranojë të dënuarit nga shtete që nuk janë anëtare të BE-së.

Burgu i ndërtuar para tetë vjetësh nuk ngre shqetësime për të drejtat e njeriut, por vendimi për strehimin e të burgosurve në Kosovë. Kështu ka thënë Therese Rytter, drejtore ligjore e “Dignity”, një organizatë daneze për të drejtat e njeriut.

“Ka pasur akuza kredibile të abuzimit në të kaluarën. Kjo nuk do të thotë që do të ndodhë në Kosovë, por definitivisht ka një rritje të rrezikut krahasuar me atë nëse do të ishin në një burg danez”, ka thënë ajo.

“Reuters” përmend edhe raportin e Departamentit të Shtetit për vitin 2023, ku thuhet se edhe pse burgjet e Kosovës kanë prekur disa prej standardeve ndërkombëtare, dhuna mes të burgosurve, korrupsioni dhe trajtimi joadekuat për të dënuarit me probleme të shëndetit mendor, ka vazhduar.

Komiteti i OKB-së kundër Torturës në një raport kishte thënë se është i shqetësuar për qasjen e të burgosurve në kujdes shëndetësor dhe vizitat familjare.

Tutje theksohet se Kosova, një prej shteteve më të varfra në Evropë, do të përfitojë 210 milionë euro në dhjetë vitet e ardhshme.

Të transferuarit, sipas ministrisë së Drejtësisë në Danimarkë dhe Ismail Dibranit, drejtorit të burgjeve të Kosovës, nuk janë të dënuar për terrorizëm dhe nuk kanë dënime të përjetshme.

“Këta individë që do të vijnë janë lehtë të menaxhueshëm nga sistemi ynë”, ka thënë Dibrani.

Ndërkaq, deri më tani nuk dihet as gjinia e të burgosurve.

Po ashtu, burgu pritet të bashkëmenaxhohet nga një drejtor danez me një drejtor lokal, kurse të gjithë rojet do të jenë vendas. Gardianët kosovarë do të marrin trajnime nga autoritetet daneze për të siguruar që trajtimi i të burgosurve të përmbushë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Megjithatë, ekspertët danezë të të drejtave të njeriut nuk janë të bindur.

“Një kurs dymujor nuk e ndryshon sjelljen”, ka thënë Rytteri.

Rinor Behluli, një qytetar që jeton në fshatin Pasjak, që ndodhet pranë burgut, ka thënë se për të nuk ka rëndësi se prej ku vijnë të burgosurit.

“A janë nga Danimarka, Anglia apo diku tjetër, ata janë njerëz të burgosur”, ka thënë ai.

Të dënuarit e parë pritet të transferohen brenda 21-25 muajve pasi të fillojë renovimi i burgut, gjë që pritet brenda pak javëve.

Komento: