
Dogana e Kosovës ka konfirmuar se njëri nga të arrestuarit për spiunazh sot në Ferizaj, me inicialet B.Sh, ka punuar në këtë institucion më herët, por se është nga pozita e tij para 20 vjetësh dhe se prej atëherë s’ka pasur asnjë lidhje me Doganën, raporton Express.
Sipas Doganës, shkarkimi i tij kishte ardhur ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv.
Njoftimi i tyre:
Prishtinë 5 qershor 2024, në lidhje me arrestimin e dy personave sot në Ferizaj nën dyshimin për aktivitete spiunazhi, Dogana e Kosovës sqaron opinionin se personi i cituar me inicialet B.Sh. është pushuar nga pozita e tij në Doganën e Kosovës 20 vite më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.
Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv.
Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës.
Dogana e Kosovës përgëzon autoritetet e Kosovës për zbatimin e ligjit për përpjekjet e tyre në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë.
Ne punojmë ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të mbështetur sigurinë kombëtare, në përputhje me misionin tonë. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës në radhët tona.