
Pas njoftimit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit se këtë vit nxënësit do të furnizohen me tekstet shkollore përmes subvencionimit si vitin 2023, ka reaguar ashpër deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati i cili është edhe anëtar i Komisionit për Arsimi.
Kastrati në një prononcim për Front Online ka deklaruar se pushteti i banditëve të korruptuar sot ka vazhduar dhunën psikike ndaj prindërve .
Tutje, Kastrati thotë se për tekat e agjendave personale të ministres Nagavci, prindërit do të torturohen duke pritur për furnizime me libra.
“Ky pushtet kriminelësh e banditësh të korruptuar vendosi sot ta vazhdoj dhunën psikike e fizike ndaj prindërve e nxënësve edhe këtë shtator. Prindërit e nxënësit do të dhunohen në radhët e gjata para librarive në temperatura të larta për shkak të tekave e agjendave personale të Nagavcit”, deklaron deputeti i PDK-së.
Deputeti Kastrati ka kërkuar nga Prokuroria Speciale ta hetoj ministren e Arsimit.
“Ne si Komision Hetimor do të vazhdojmë punën në shtator. Prokuroria Speciale duhet ta hetoj Nagavcin për tekstet”, u shpreh ai.
Vlera që do të subvencionohet për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën do të jetë 80 euro, ndërsa për nxënësit e klasave 6-9 do të jetë 110 euro.
Aplikimi do të filloj nga e mërkura, shkruan Front Online.