Zgjedhjet e 9 shkurtit, partitë mund t`i shpenzojnë deri në 2 milionë për fushatë

11:41 | 21 Gusht 2024
zgjedhjet-e-9-shkurtit,-partite-mund-t`i-shpenzojne-deri-ne-2-milione-per-fushate

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur se një subjekt politik do të ketë të drejtë të shpenzojë deri në 2 milionë euro për fushatën e zgjedhjeve që do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala.

Ky vendim, siç tha ai, është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore dhe në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,047,149 votues.

“Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,047,149 euro, pra jo më pak se një (1) euro për votues të regjistruar. Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,047,149 votues”, ka thënë Buzhala, raporton EO.

KQZ-ja po ashtu ka vendosur për themelimin e komisionit për shqyrtimin e kundërshtimeve administrative të parashtruara kundër njoftimit për regjistrim të votueseve jashtë Kosovës. Sipas Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, çdo aplikues, të cilit i është refuzuar regjistrimi, ka të drejtë në kundërshtim administrativ ndaj njoftimit brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare janë caktuar për t’u mbajtur më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

Komento: