
Bundeswher në një artikull në faqen e tyre zyrtare kanë treguar se pse numri i forcave ushtarake gjermane është rritur në Kosovë përgjatë vitit 2024. Në fillim të artikullit jepet një pasqyrë e Kosovës së zhvilluar, që sipas Bundeswher, vështirë se ta jep përshtypjen se është vend ku ka prani të ushtrisë gjermane, shkruan Gazeta Express.
Në këtë artikull të ushtrisë gjermane përmendet infrastruktura moderne e Aeroportit, autostradat që I krahasojnë me ato në Gjermani dhe qendrat e ndryshme tregtare, si shenjë e zhvillimit.
Duke shkruar për madhësinë e shtetit të Kosovës, “Bundeswher” potencon se bëhet fjalë për rreth 11 mijë kilometra katrorë, që i bie sa gjysma e qytetit gjerman të Hessen-t.
Pas këtij zhvillimi të hovshëm të ndodhur në dekadat e fundit dhe pas rritjes së mirëqenies në Kosovë, Bundeswher shkruan se fshihet fakti se në Kosovë vazhdon të ziej një konflikt, i cili kërkon praninë e një trupe ndërkombëtare mbrojtëse siç është KFOR-i.
Në këtë artikull të publikuar në faqen e ushtrisë gjermane tregohet edhe për patrullimet që KFOR i bën në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe sqarojnë se pse KFOR i referohet si “Linjë Administrative”.
Këtë e ndërlidhin me faktin që Kosova është njohur si e pavarur nga një numër i madh i shteteve përfshirë edhe Gjermaninë, por që ka edhe vende të tjera që vazhdojnë të mos e njohin, përfshirë Serbinë që refuzon të njohë sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“Duke mbërritur në skajin më verilindor të Kosovës, jemi në një patrullë ABL. Shkurtesa qëndron për “Administrative Boundary Line,” që do të thotë vijë administrative në kuptimin e një kufiri. Megjithatë, të flasësh për një kufi me Serbinë do të ishte jodiplomatike për KFOR-in (Kosovo Force). Arsyeja: Pavarësia e Kosovës, e shpallur në vitin 2008, njihet nga një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe Gjermaninë. Megjithatë, vende të tjera, veçanërisht rivali i Kosovës, Serbia, e refuzojnë sovranitetin e Kosovës”,thuhet në këtë artikull./GazetaExpress/