Osmani: Sot Rugova po i kthehet në bronz Llapit, duke u bërë banor i përhershëm i Podujevës

14:16 | 07 September 2024
osmani:-sot-rugova-po-i-kthehet-ne-bronz-llapit,-duke-u-bere-banor-i-perhershem-i-podujeves

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në zbulimin e shtatores së ish-presidentit, Ibrahim Rugova në Podujevë.

Osmani është shprehur se shtatorja e Rugovës po përjetësohet dhe po përurohet në 7 shtatorin historik.

Presidentja u shpreh se sot presidenti Rugova po i kthehet në bronz Llapit, siç u shpreh ajo, duke u bërë banor i përhershëm i Podujevës.

“Shtatorja e presidentit Rugova po përjetësohet dhe po përurohet në 7 shtatorin historik, në të njëjtën datë, 34 vjet më parë, u miratua Kushtetuta e Kaçanikut, një moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, për të cilën gjë, tërë jetën ia kushtoi presidenti ynë historik”.

“Shtatorja e presidentit Rugova nuk është vetëm një monument prej bronzi, por një testament i idealeve për të cilat ai punoi deri në vdekje, për Kosovën të lirë, të pavarur dhe demokratike”.

“Prandaj sot po nderojmë kujtimin për udhëheqësin e madh, vizionarin e pashoq, për njeriun i cili me guxim dhe mençuri e orientoi Kosovën drejt vizionit euroatlantik dhe solli vëmendjen e gjithë botës demokratike, pikërisht në Kosovë”.

“Presidenti Rugova ishte simbol i shpresës, një njeri që besonte në fuqinë e fjalës. Në ditët më të errëta të historisë sonë, ai qëndroi i palëkundur me vizionin e tij “pavarësi dhe asgjë më pak”.

“Në ditët më të errëta ai dëshmoi se forca e kombit tonë është përbashkimi dhe vullneti i pathyeshëm për liri, paqe, demokraci dhe pavarësi. Presidenti Rugova i dha, siç themi gjithmonë politikës dimensionin më të rëndësishëm të saj, dimensionin human”, u shpreh Osmani.

Komento: