BE-ja “hap urën” për pasaportat ilegale për serbët e Kosovës

18:07 | 18 Shtator 2024
be-ja-“hap-uren”-per-pasaportat-ilegale-per-serbet-e-kosoves

Më 23 prill të këtij viti  Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të shtetit serb që jetojnë në Kosovë.

Pas pesë muajve, këtij vendimi të mërkurën iu dha drita jeshile për nënshkrim nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian ku pastaj do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Ky vendim ishte kritikuar nga Qeveria kosovare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se vendimi për liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të shteti serb është i padrejtë dhe dekurajues për integrimin e serbëve.

E për opozitën në Kosovë, fajin për legalizimin e pasaportave të qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë e ka kryeministri Albin Kurti.

Deputeti i PDK-së: Kurti po e përdorë sovranitetin e Kosovës për arsye elektorale

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se gjatë qeverisjes së tij ka marr vendime të dëmshme për Kosovën.

Berisha tha për “Front Online” se njëra ndër to është edhe ajo marrëveshja për pasaportat serbe.

Ai thotë se kryeministri aktual po e përdorë sovranitetin e vendit për arsye elektorale.

“Këtë marrëveshje në vitin 2022 e ka pranuar Kurti. Këto janë marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Në bazë të marrëveshjes të 2022 thuhet se qytetaret mund të nxjerrin pasaportë në zyrën për Kosovën që udhëhiqet nga Petkoviq, është qeveri paralele e serbëve të Kosovës në Beograd. Edhe sovranitetin po e përdorë për arsye elektorale”, u shpreh Berisha.

Deputetja e AAK-së: Vendimet populiste të Qeverisë po shkojnë në favor të Serbisë

Time Kadrijaj, anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, nga radhët e “Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës” ka folur për “Front Online” lidhur me vendimin e liberalizimit të vizave për serbët e Kosovës.

Kadrijaj ka kritikuar pushteti aktual duke thënë se vendimet e pakoordinuara po i çojnë aleatët te këto vendime.

“Kurti, Sveçla e Gërvalla duhet të tregojnë se për çfarë sovraniteti po flasin kur veprimet e tyre të pakoordinuara i kanë shtyrë aleatët që t’i legalizojnë pasaportat e lëshuara në Serbi për serbët e Kosovës. E kemi kundërshtuar sepse nuk është në rregull një vendim i tillë se nuk i kontribuon as dialogut e as paqes. Vendimet populliste po shkojnë në favor të Serbisë”, theksoi Kadrijaj.

Valdet Hoxha: Liberalizimi i vizave për qytetarët serb në Kosovë prek sovranitetin e vendit

Ish-zv/ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha thotë për “Front Online” se vendimi për liberalizimin e vizave për serbët në Kosovë  prek sovranitetin e vendit.

Ai deklaroi se ky vendim mund t’i dekurajojë qytetarët serb që të integrohen në institucione kosovare.

“Kjo mund t’i dekurajojë pjesëtarët e komunitet serb me u integru në institucionet e Kosovës sepse të njëjtit mund të lëvizshin lirshëm edhe nëse i marrin pasaportat e Kosovës e ky hap që mund të lëvizin me pasaportat e strukturave paralele do t’i frenon që të jenë lojal ndaj institucioneve. Atak direkt i sovranitetit të Kosovës”, u shpreh Hoxha.

Hoxha thotë se problemi qëndron tek sovraniteti i Kosovës.

“Tek sovraniteti i Kosovës është problematike që brenda një vendi sovran një shtet tjetër të lëshoj pasaporta dhe të njëjtat të mos kenë viza për të udhëtuar lirshëm në vendet e BE”, deklaroi Hoxha.

Avni Arifi: Aleatët ndërkombëtar nuk po e marrin seriozisht Qeverinë e Albin Kurtit

Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi ka deklaruar për “Front Online” se aleatët ndërkombëtar nuk po e marrin seriozisht Qeverinë e Albin Kurtit.

“Cenimi i sovranitetit ka ndodhur dhe po ndodh nga Serbia dhe kjo kërkon reflektim të menjëhershëm të faktorit vendor e ndërkombëtar, por aleatët tanë nuk e marrin seriozisht këtë Qeveri”, u shpreh Arifi.

Arifi thotë se pushteti aktual po i shkakton dëme të pa riparueshme Kosovës.

 “Ne kemi fituar stickersat, ky është rezultat i Qeverisë Kurti. Nëse vazhdohet me këtë qasje të Qeverisë, dëmet e Kosovës do të jenë tepër të mëdha, kjo sjellje po i shkakton dëme të pa riparueshme Kosovës”, theksoi Arifi.

Serbët e Kosovës që kanë këto pasaporta të lëshuara nga një zyrë serbe e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ishin të vetmit që kishin nevojë për vizë për të hyrë në vendet e BE-së pas heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës më 1 janar të këtij viti.

 

 

Komento: